Teknologji dhe Inovacion

Drejtuesi i Nvidia thotë se ka “0% gjasa” që AI ta shkatërrojë botën

Drejtuesi i kompanisë së çipeve Nvidia ka deklaruar se Inteligjenca Artificiale (AI) nuk do të zhvillohet deri në atë pikë sa të çojë në zhdukjen e racës njerëzore brenda pak vitesh, duke i hedhur poshtë pretendime të tilla si “narrativa katastrofike” të ekzagjeruara.

Jensen Huang, bashkëthemeluesi dhe drejtuesi ekzekutiv i kompanisë së çipeve për AI me një vlerë tregu prej 5 trilionë dollarësh i cilësoi si “të papërgjegjshme” pretendimet e bëra në rrjetet sociale nga ish-studiuesi i kompanisë Anthropic, Jacob Coxon. Ky i fundit kishte pohuar se AI mund të bëhej “super-njerëzore” dhe të shfaroste njerëzimin brenda dekadës.

“Viti 2030 nuk do të jetë fundi i botës. Ekziston një mundësi 0% që ai të jetë fundi i botës,” tha Huang në një intervistë për CBS News. “Është e panevojshme të tremben njerëzit. Është e papërgjegjshme.”

Thirrjet për ngadalësimin e AI janë të justifikuara, por shembja e flluskës mund të jetë një kërcënim më i menjëhershëm.

Deklaratat e Coxon-it, të mbështetura edhe nga dy studiues të tjerë në kompaninë që krijoi AI-në “Claude”, nxitën një debat ndërkombëtar mbi rreziqet dhe mungesën e mbikëqyrjes së AI-së, ndërsa kompanitë garojnë për të zhvilluar modele gjithnjë e më të fuqishme.

Ligjvënësit amerikanë kanë kritikuar kompanitë e AI për rreziqet e lidhura me to, ndërsa Anthropic publikoi një raport mbi kërcënimet, ku detajohej se si kriminelët, grupet e mbështetura nga shteti, shitësit e softuerëve spiunë, shkencëtarët dhe propaganduesit kanë tentuar të përdorin modelet e saj të fuqishme të AI-së për të projektuar raketa e bomba, për të krijuar patogjenë vdekjeprurës dhe për të spiunuar disidentët.

Dario Amodei, drejtuesi ekzekutiv i Anthropic, Sam Altman, kreu i OpenAI (kompania që krijoi ChatGPT), dhe Elon Musk kanë bërë thirrje që zhvillimi i kësaj teknologjie të ngadalësohet.

Megjithatë, Donald Trump i ka hedhur poshtë shqetësimet rreth zhvillimit të AI-së si një “mashtrim” dhe “teori konspirative”, duke shtuar se një ngadalësim mund t’i jepte Kinës një avantazh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë