Ngjarje

Qeveria portugeze reagon mbi vrasjen e 20-vjeçarit në Ksamil

Nga Gazeta Si- Qeveria e Portugalisë ka reaguar pas vrasjes së një 20-vjeçari portugez në Ksamil, duke deklaruar se po e ndjek nga afër rastin dhe është në kontakt me autoritetet e Shqipërisë.

Turisti u gjet i pajetë në orët e para të mëngjesit të së martës me shenja goditjeje me thikë, pas një konflikti.

Në një prononcim për median portugeze “Renascença”, Raquel Trindade, nga kabineti i ministrit të Punëve të Jashtme të Portugalisë, tha se qeveria po e ndjek rastin përmes përfaqësisë diplomatike.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që humbi jetën në Shqipëri dhe, përmes ambasadës sonë në Romë, si dhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen me autoritetet vendase. Për momentin, ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Nga mediat lokale dimë se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund ta përcjellim. Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të ndjekë gjithçka që është e nevojshme, si me autoritetet vendase, ashtu edhe me familjarët”, është shprehur Raquel Trindade, citon “Renascença”.

Media portugeze shkruan gjithashtu se i dyshuari kryesor për vrasjen e 20-vjeçarit është një 29-vjeçar, i cili ka precedentë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra që lidhen me trafik droge, armëmbajtje dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.

Për ngjarjen janë arrestuar 11 persona, mes tyre autori i dyshuar i krimit, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë