Kuriozitete

Shtatë jetët e Larry-t, maces së Downing Street-it

Jeton aty që nga viti 2011, ka parë shtatë kryeministra të vijnë e të ikin dhe është shndërruar në njëfarë ikone kombëtare; kishte shqetësime lidhur me ardhjen e Andy Burnham-it, i cili ka një qen

Gazeta Si – Vitet e fundit, macja Larry është shndërruar në një simbol të Downing Street, rezidencës londineze të kryeministrit britanik.

Në fakt, ai është banori me qëndrimin më të gjatë aty; jeton në këtë adresë që nga viti 2011 dhe ka qenë dëshmitar i mandateve të shtatë kryeministrave të ndryshëm – po aq sa kanë shërbyer gjatë dyzet viteve të mëparshme.

Popullariteti i Larry-t e kalon kufirin e qarqeve politike. Ai është një figurë e njohur për publikun britanik – dhe së fundmi, edhe për audiencën ndërkombëtare – falë shpeshtësisë me të cilën fotot dhe videot e tij bëhen virale në internet (një mjedis që ka një dobësi të veçantë për macet). Titulli i tij zyrtar është “Krye-gjuetari i minjve në Zyrën e Kabinetit”.

Nuk mungojnë materialet me Larry-n, pjesërisht, sepse gazetarët dhe fotografët qëndrojnë vazhdimisht jashtë Downing Street, shpesh duke pritur me orë të tëra për mbërritjen e ndonjë lideri të huaj, për një fjalim apo për një deklaratë qeveritare.

Fotografimi i Larry-t është një mënyrë për të kaluar kohën dhe për të gjeneruar shumë shikime. Një javë më parë, ndërsa prisnin fjalimin e parë të kryeministrit të ri, Andy Burnham, CNN intervistoi – nëse mund të thuhet kështu – Larry-n, pasi e “shënjestroi” atë me një ushqim të shijshëm për ta afruar te mikrofoni.

Ndryshimi i qeverisë ngjalli shqetësim për të ardhmen e Larry-t, për shkak të ardhjes së mundshme të qenit të Burnham-it – një kryqëzim mes racave Pudel dhe Bishon.

Larry është 19 vjeç – një moshë mjaft e thyer – dhe prej ditësh, veterinerë e faqe të specializuara interneti jepnin këshilla se si të menaxhohej bashkëjetesa e dy kafshëve, duke filluar që nga takimi i tyre i parë. Të dielën e kaluar, Burnham i dha fund kësaj çështjeje duke deklaruar për BBC-në se qeni do të qëndronte në shtëpinë e tij në Mançester, pasi ka një temperament të vështirë dhe ai druhet se nuk do të shkonte mirë me Larry-n.

Në fakt, kjo nuk do të ishte hera e parë që Larry “bashkëjeton” me mace të tjera – apo edhe me ndonjë qen.

Në fund të fundit, kryeministrat lejohen t’i marrin kafshët e tyre shtëpiake në Downing Street. Familja e Keir Starmer – paraardhësit të Burnham-it, i cili shërbeu nga viti 2024 deri një javë më parë – kishte dy mace.

Megjithatë, Starmer tha se i mbante ato të ndara nga Larry. Ndërkohë, qentë ishin pjesë e familjeve të kryeministrave konservatorë Boris Johnson (2019–2022) dhe Rishi Sunak (2022–2024) – përkatësisht një Jack Russell dhe një Labrador Retriever – dhe të dy raportuan përplasje me Larry-n.

Johnson e përshkroi atë si një “huligan”, duke pretenduar se qeni i tij ishte tmerruar pasi Larry e kishte sulmuar sepse qeni kishte tentuar t’i hante ushqimin.

Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndalen për të parë Larry-n para një takimi në dhjetor të vitit 2025

Me stilin e tij karakteristik të ekzagjerimit, Johnson tregoi se Larry ka “trupin e një mundësi sumo dhe kthetrat e një velociraptori” dhe se qeni i shmangte zonat e rezidencës “ku mund të ndeshej me Catzilla-n”.

Johnson madje e përmendi macen dhe qenin në fjalimin e tij të fundit si kryeministër, duke i bërë thirrje partisë së tij të merrte shembull nga marrëdhënia e tyre se si i kishin kapërcyer “mosmarrëveshjet e herëpashershme”.

Nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që Larry e gjeti veten në qendër të debatit politik gjatë momenteve të tilla të rëndësishme.

Në vitin 2016, madje edhe konservatori David Cameron – në ditën e tij të fundit si Kryeministër – u gjend duke folur për Larry-n, në përpjekje për t’u mbrojtur nga akuzat e shtypit se ai nuk e kishte dashur kurrë macen.

“Cili njeri ndërron shtëpi dhe e lë macen pas?” – pyeste gazeta “The Telegraph” (e cila zakonisht mbështet të djathtën).

Qeveria u përgjigj se Larry ishte nëpunës civil dhe, rrjedhimisht, do të qëndronte në Downing Street për t’i shërbyer kryeministrit të ri.

Ishte vetë Cameron ai që e kishte sjellë Larry-n në Downing Street, pasi e kishte marrë nga një strehë për kafshët.

Larry qëndronte në dritare gjatë një vizite të Donald Trumpit në qershor të vitit 2019, kur Theresa May ishte kryeministre

Kritikët pretendonin se kjo ishte një lëvizje politike për marrëdhëniet me publikun, e krijuar për të zbutur imazhin e tij ndërsa zbatonte një program shkurtimesh drastike të shpenzimeve publike, dhe se në të vërtetë ai preferonte qentë.

Cameron e përfundoi mandatin e tij si kryeministër duke postuar në rrjetet sociale një foto të tij me Larry-n, me qëllim që të tregonte se ata shkonin mirë me njëri-tjetrin.

Sido që të jetë, gazeta “The Guardian” e goditi në shenjë kur shkroi se Larry ishte një nga emërimet më të rëndësishme të qeverisë së Cameron-it.

Zyrtarisht, ai u soll në Downing Street pasi një mi u pikas gjatë një interviste televizive, duke rikthyer në vëmendje çështjen e përhershme të pranisë së brejtësve.

Në këtë rol – pavarësisht titullit zyrtar – Larry pasoi mace të tjera që, të paktën që nga viti 1924, kanë jetuar në ndërtesat qeveritare me qëllimin e qartë për të kapur minj.

Boris Johnson, i parë nga pas, hyn në Downing Street në prill të vitit 2022

Si Winston Churchill, ashtu edhe Margaret Thatcher, kanë pasur të tilla; nëse jeni kuriozë, ja një listë e maceve të kryeministrave.

Larry nuk ka shkëlqyer pikërisht në detyrat e tij zyrtare – aq sa kapja e një miu konsiderohet si lajm. Megjithatë, është macja e parë e Downing Street në epokën e rrjeteve sociale, gjë që e bën atë më të famshmin.

Herë pas here, Larry ua ka rrëmbter vëmendjen kryeministrave duke iu shmangur përpjekjeve të tyre për ta përkëdhelur, duke zënë në pritë ndonjë pëllumb apo duke u përleshur me mace të tjera në kompleksin qeveritar – përleshje që dikur, në vitin 2012, kërkuan ndërhyrjen e policisë për t’u ndarë.

Është bërë rutinë që dera e zezë të hapet për ta lënë të hyjë e të dalë, siç shihet në videon e mëposhtme, ku dëgjohet një gazetar teksa flet për vështirësitë me të cilat përballej qeveria e Theresa May-t në vitin 2018.

Një profil jozyrtar në X me mbi 900,000 ndjekës – i shkruar nga këndvështrimi i tij – ka kontribuar në famën e Larry-t.

Krahas fotove dhe videove të vetë maces, një element kryesor i llogarisë janë komentet ironike mbi rrëmujën që shkaktojnë njerëzit me të cilët ai jeton: kryeministrat.

Ndër vite, profili ka komentuar ngjarjet aktuale, duke kritikuar shpesh presidentin amerikan Donald Trump dhe të djathtën britanike.

Rotacioni i shpeshtë i kryeministrave – shtatë që nga viti 2016 – e ka shndërruar Larry-n në një lloj “meme-je”, duke u përmendur shpesh për të theksuar faktin se macja u ka mbijetuar në detyrë të gjithë krerëve të qeverisë.

Në një postim thuhet: “Mesazhi im për popullin e Mbretërisë së Bashkuar është se unë do ta trajnoj kryeministrin e ri [p.sh. Burnham-in], por herët a vonë duhet të mësoni të mbani njërin prej tyre”.

Larry përpiqet të kapë një pëllumb në dhjetor të vitit 2020

Në njëfarë kuptimi – sado paradoksale apo gazmore që mund të duket – Larry ka shërbyer si një figurë pothuajse institucionale gjatë një periudhe paqëndrueshmërie politike të paprecedentë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Larry i ofron publikut një ndjesi thelbësore dhe asnjanëse vazhdimësie”, tha për “The Guardian”, Philip Howell, profesor në Universitetin e Kembrixhit.

Rëndësia e Larry-t është e tillë saqë qeveria britanike ka një plan për njoftimin e ngordhjes së tij, me fotografi të përgatitura tashmë për atë rast.

Sipas “The Times”, plani mban emrin “Larry Bridges” – një lojë fjalësh me “London Bridge”, emri i koduar për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë