Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin e flotës urbane nëse nuk marrin një përgjigje nga qeveria për zgjatjen e kompensimit të naftës dhe disbursimin e kompensimit për karburantin për muajt mars, prill dhe maj 2026.
Në një letër drejtuar Ministrive të Financave, Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjisë, Pushtetit Vendor, si dhe Bashkisë Tiranë, shoqatat e transportit ngrenë shqetësimin se, pavarësisht plotësimit të dokumentacionit dhe procedurave të kërkuara, pagesat ende nuk janë kryer.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, operatorët e transportit publik përfitojnë kompensim në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026.
Shoqatat deklarojnë se operatorët kanë përmbushur të gjitha detyrimet lidhur me dokumentimin e aktivitetit, sasitë e karburantit të konsumuar dhe kriteret e tjera të përcaktuara për përfitimin e kompensimit. Megjithatë, fondet për tre muajt nuk janë disbursuar ende.
Sipas tyre, vonesa po krijon vështirësi të konsiderueshme financiare, pasi operatorët kanë vijuar të përballojnë me burimet e tyre kostot e aktivitetit, duke garantuar ndërkohë vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik.
Në letër theksohet se edhe pas përfundimit të periudhës së mbuluar nga vendimi, çmimet e karburantit vijojnë të jenë në nivele të larta, duke rënduar kostot operative të operatorëve. Për këtë arsye, situata paraqitet si një problem i dyfishtë: nga njëra anë, kompensimi i miratuar për marsin, prillin dhe majin nuk është paguar, ndërsa nga ana tjetër, kostoja e karburantit vazhdon të rëndojë mbi bilancet e operatorëve.
Shoqatat paralajmërojnë se mungesa e likuiditetit mund të ndikojë drejtpërdrejt në kapacitetet operative dhe në numrin e mjeteve që mund të nxirren në qarkullim. Një reduktim i flotës, sipas tyre, do të kishte pasoja në frekuencën dhe kapacitetin e shërbimit të transportit publik dhe, për rrjedhojë, edhe te qytetarët.
Përveç pagesës së menjëhershme të kompensimit për tre muajt e parë të skemës, operatorët kërkojnë që mbështetja financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë që çmimet e karburantit dhe kushtet ekonomike që justifikuan ndërhyrjen e qeverisë mbeten të pranishme.
Në kërkesën e tyre, shoqatat kërkojnë gjithashtu informacion zyrtar mbi fazën në të cilën ndodhet procesi, arsyet e vonesës dhe një afat konkret për realizimin e pagesave. Ata i kërkojnë institucioneve përgjegjëse që çështja të trajtohet me prioritet, duke vlerësuar rëndësinë sociale dhe ekonomike të transportit publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje