Gazeta Si – Në hotelin që zë selinë e vjetër të Policisë Metropolitane të Londrës, pranë Sheshit “Trafalgar”, ndodhet një bar i quajtur “The 40 Elephants”.
Ai ia detyron emrin e tij një grupi kriminal që ishte mjaft i njohur midis fundit të shekullit të 19-të dhe gjysmës së parë të shekullit të 20-të: atij të “Dyzet Hajdutëve”, ose “Dyzet Elefantëve”, një bandë e përbërë nga rreth dyzet gra që iu përkushtuan vjedhjes, zhvatjes dhe grabitjes së dyqaneve me një mjeshtëri të caktuar.
Fakti që në atë kohë ekzistonte një grup kriminal vetëm me femra ishte në vetvete një i pazakontë, sikundër dhe suksesi i tyre.
Historia e bandës, edhe pse e trilluar, tregohet në serinë “A Thousand Blows”, krijuar nga ideatori i “Peaky Blinders”, Steven Knight, i disponueshëm në “Disney+”.
Banda ishte formuar në “Elephant and Castle”, një zonë në jug të Thames, e cila vetë mori emrin e saj nga një pub famëkeq.
Shumë gra që ishin pjesë e tij, ishin të dashurat, vajzat apo motrat e anëtarëve të një bande tjetër mashtruesish, hajdutësh dhe kriminelë të vegjël të zonës: objektivi i të dy grupeve, ishin mbi të gjitha dyqanet në qendër dhe njerëz të pasur, të cilët arrinin të vidhnin me mjeshtëri dhe më pas e shisnin mallin përmes një rrjeti bashkëpunëtorësh.
Në një libër të vitit 1851, gazetari Henry Mayhew raportoi disa nga metodat e përdorura nga hajdutët e xhepave, të përshkruara si gra midis 14 dhe 60 vjeçe, shpesh të veshura me shalle dhe mantele të mëdha.
Në përgjithësi, ata hynin në dyqane në kohën e pikut, dy ose tre në të njëjtën kohë dhe synonin të shisnin sa më shumë produkte të vjedhura: “Kur dyqanxhiu ishte i zënë duke marrë mallra nga dritarja ose nga raftet” për t’i rregulluar në banak, shkruante Mayheë, “zakonisht njëra prej tyre merrte dhe fshihte diçka nën mantel ose shall, ndërsa tjetra përpiqej ta shpërqendronte”.

Ndonjëherë hajdutet përdornin letra referimi të rreme për t’u punësuar si shërbëtore për të vjedhur te zotërinjtë e tyre.
Të tjera, megjithatë, joshin të moshuarat në një rrugicë dhe më pas i akuzonin se i kishin sulmuar, ndërsa një bashkëpunëtore pretendoi se ishte dëshmitare e një sulmi të supozuar: për të shmangur veten nga sikleti, burri i sulmuar, zakonisht ua dorëzonte vajzave gjërat e tij me vlerë, tregon Bryan McDonald, autor i disa librave mbi grupet kriminale në Londër.
Historiania dhe gazetarja Caitlin Davies, autore e një libri mbi kriminalitetin femëror, vuri në dukje se me kalimin e kohës, figurat e “Dyzet Elefantëve” janë stereotipizuar ose seksualizuar.
Megjithatë, operacionet e tyre ishin të organizuara mirë, të cilat shpesh funksiononin pikërisht sepse kryheshin nga gratë.
Hallie Rubenhold, eksperte për rolin e gruas në shoqërinë angleze, shpjegoi për BBC se duke pasur parasysh moralin e asaj kohe, gratë pritej të ishin më të respektueshme ndaj ligjit, me rezultat që askush nuk do t’i dyshonte për vjedhje të ngjashme.
Në çdo rast, “Dyzet Elefantët” kishin rregulla për t’u respektuar, pjesërisht për të ruajtur harmoninë në grup dhe pjesërisht për të promovuar barazinë brenda tij: ato të njohura si “kodi i plaçkitësve”, prandaj McDonald i përcaktoi ato si “një lloj kooperative”.
Ndërkohë, në përgatitjen e një grabitjeje apo vjedhjeje, duhej të ishe i përpiktë dhe të mos pije kurrë alkool.
Të ardhurat nga një vjedhje, duhej të ndaheshin në mënyrë të barabartë midis atyre që e kryenin atë dhe nëse një anëtar arrestohej, të tjerët do t’i siguronin asaj një alibi. Kodi më pas ndalonte vjedhjen, si nga gratë e tjera në bandë, ashtu edhe nga partnerët e tyre.
Ato gjithashtu rrallë vishnin rrobat ose stolitë që vidhnin: gratë ende shpenzonin shuma të mëdha në bare, restorante dhe në festa për t’u përpjekur të imitonin personazhet e famshëm dhe aristokracinë e lartë, veçanërisht në vitet 1920, periudhën e aktivitetit të tyre maksimal.
Megjithëse dokumentet e policisë së Londrës dëshmojnë për vjedhje të rregullta të kryera nga gratë që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, referenca e parë e bandës, daton në vitin 1873 dhe dihet me siguri se ajo mbeti aktive deri në vitet 1950.
“Dyzet Elefantët” ishin aq të afta në shmangien e policisë, sa ishin famëkeqe, me rezultatin që nëse njerëzit i shihnin pranë dyqaneve, shqetësoheshin.
Me kalimin e kohës, u identifikuan rreth 70 gra, disa prej të cilëve u dënuan për krime të tilla si vjedhje dyqanesh ose sulm ndaj policisë; të tjerët u shpërngulën gradualisht nga Londra.
Banda, megjithatë, drejtohej nga një udhëheqëse, ose “mbretëresha”. Një nga më të njohurat ishte Alice Diamond, e cila lindi në vitin 1896 në një familje kriminelësh dhe drejtonte grupin “me saktësi ushtarake”, duke vendosur kontrollin mbi territorin dhe duke dënuar ato që nuk e respektonin atë, shpjegon Davies.
Një tjetër, është Mary Carr, e cila në serialin televiziv interpretohet nga Erin Doherty, e njohur për rolin e Princeshës Anne në serialin për familjen mbretërore britanike “The Crown”.
Në një episod të podkastit të tij, aktori i njohur anglez Stephen Fry, rrëfen gjyqin e vitit 1896 ndaj Carr-it, e cila ishte akuzuar për rrëmbimin e një fëmije.
Sipas versionit të McDonald-it, fëmija ishte shitur dhe i ishte besuar Carr-it në pritje të transferimit te një çift pa fëmijë; pasi u gjet në shtëpinë e saj pas një denoncimi anonim, ajo u dënua me tre vjet burg, ndërsa djali përfundoi në një jetimore.
Zyrtarisht, Carr shiste lule në Covent Garden dhe punonte si modele për artistë; edhe pse dihej se ajo ishte udhëheqësja e bandës, policia nuk kishte gjetur kurrë prova për ta akuzuar atë.
Dihet se Carr u dënua sërish në vitin 1900 për marrje të mallrave të vjedhura; besohet se më pas ajo u shpërngul në zonën e Mançesterit, ku dyshohet se vazhdoi të vidhte, ndërsa hiqej si një grua e shtresës së lartë, për të ndërruar jetë përfundimisht rreth vitit 1924.
Në serialin e Knight-it, personazhi i saj – i portretizuar me njëfarë lirie artistike – takohet me Hezekiah Moscow (Malachi Kirby), një tjetër figurë reale: një burrë që kishte ardhur nga Xhamajka me synimin për t’u bërë zbutës luanësh, por që në fund gjeti sukses si boksier.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje