Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një zhvillim që mund ta çojë shtetin shqiptar drejt një tjetër arbitrazhi të kushtueshëm ndërkombëtar.
Lajmi u publikua nga mediat pas njoftimit të MIE-s, ndërsa një prej investitorëve kryesorë të projektit, Behgjet Pacolli, reagoi duke deklaruar se kompania e tij, MABCO Constructions SA, nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare për nisjen e procedurës së zgjidhjes së kontratës.
Në reagimin e tij, Pacolli akuzon institucionet shqiptare për shkelje të kontratës së koncesionit, veprime të kundërligjshme dhe pengim të përfundimit të projektit. Sipas tij, nëse procedura për zgjidhjen e kontratës konfirmohet zyrtarisht, MABCO do t’i drejtohet arbitrazhit tregtar ndërkombëtar për të kërkuar dëmshpërblim, duke pretenduar një ekspozim financiar që tejkalon 320 milionë euro, pa përfshirë fitimin e munguar dhe kostot ligjore.
Pacolli e cilëson të papranueshme faktin që kompania është informuar përmes mediave dhe jo nga Autoriteti Kontraktor, duke theksuar se për një investim strategjik me rëndësi kombëtare komunikimi institucional duhet të ishte prioritet.
Ai shprehet se MABCO ka bërë përpjekje për të shmangur arbitrazhin dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale, por pretendon se është përballur me heshtje, papërgjegjshmëri dhe veprime të paligjshme nga disa përfaqësues të shtetit, çka, sipas tij, ka mbyllur çdo mundësi për zgjidhje.
Sipas Pacollit, kompania kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej në fazën përfundimtare, pak përpara certifikimit të aeroportit. Ai pretendon se, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, MABCO u pengua të hynte në kantier dhe të përfundonte punimet, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan, u shkatërruan ose u vodhën.
Biznesmeni argumenton se ekziston një paradoks, pasi, sipas tij, institucionet shtetërore penguan realizimin e projektit dhe tani po e përdorin këtë situatë si argument për zgjidhjen e kontratës. Ai shton se një veprim i tillë bie ndesh me kontratën e koncesionit, me vendimin e Gjykatës së Lartë, me marrëveshjen dypalëshe për mbrojtjen e investimeve mes Shqipërisë dhe Zvicrës, si dhe me parimin juridik sipas të cilit askush nuk mund të përfitojë nga sjellja e vet e paligjshme.
Në përfundim, Pacolli paralajmëron se, nëse procedura për zgjidhjen e kontratës zyrtarizohet, MABCO do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e interesave të saj, përfshirë arbitrazhin tregtar ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë. Ai thekson se ky nuk është një kërcënim, por, sipas tij, pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të institucioneve shtetërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje