Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka miratuar krijimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar për cannabis-in për qëllime mjekësore dhe industriale, ku do të monitorohet i gjithë cikli i aktivitetit të subjekteve të licencuara, nga aplikimi për licencë deri te prodhimi, transporti, eksporti, kontrollet dhe asgjësimi.
Sipas vendimit, regjistri do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, ndërsa ndërtimi dhe mirëmbajtja teknike do të realizohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sistemi do të integrohet me e-Albania, Qendrën Kombëtare të Biznesit, Tatimet, Doganat, Gjendjen Civile dhe platformën e gjurmueshmërisë “ALBTrace CO”.
Në regjistër do të pasqyrohen të gjitha të dhënat mbi licencat, kultivimin, përpunimin, sasitë e prodhuara, analizat laboratorike, transportin, eksportin, inspektimet, masat administrative, si edhe detyrimet tatimore dhe deklaratat doganore.
Akses në sistem do të kenë institucionet përgjegjëse, përfshirë ministritë, Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit dhe subjektet e licencuara.
Vendimi detyron subjektet të raportojnë të dhëna të sakta dhe në kohë. Mosraportimi ose deklarimi i informacionit të pasaktë do të konsiderohet shkelje, ndërsa Agjencia e Cannabis-it do të ketë të drejtë të korrigjojë të dhënat dhe të pezullojë menjëherë aksesin në rast të shkeljeve.
Çdo veprim në regjistër do të regjistrohet automatikisht në një sistem auditimi elektronik, duke garantuar gjurmueshmërinë e plotë të të gjitha ndërhyrjeve në platformë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje