Drejtësia

Administrativja rrëzon padinë e Veliajt ndaj Dados

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Administrative ka vendosur të mos marrë në shqyrtim në themel padinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me emërimin e Ols Dados si prokuror.

Në vendimin e saj, Gjykata arsyeton se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë proces, por vetëm interes të tërthortë, ndaj nuk legjitimohet si palë paditëse.

Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesat për t’u bërë pjesë e procesit si palë të treta nga ish-prokurori Tom Deda dhe shoqata “Asociacioni për Media e Drejtësi”.

Pas vendimit, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, e cilësoi vendimin të pritshëm, por deklaroi se çështja do të vijojë në Apel. Sipas tij, emërimi i Ols Dados nuk është bërë në mënyrë të ligjshme dhe sistemi i drejtësisë nuk tregoi aftësi për të korrigjuar problematikat.

“Do të shkojmë në Apel sapo të kemi vendimin e zbardhur. Do ta fitojmë këtë çështje”, deklaroi Ndreca.

Gjatë seancës, Veliaj kishte pretenduar se emërimi i Dados përbënte një problem për sistemin e drejtësisë, duke kërkuar që gjykata të rikthente besimin te institucionet.

Ndërkohë, mbrojtja e Ols Dados argumentoi se Veliaj nuk kishte asnjë interes juridik të drejtpërdrejtë dhe se pranimi i një padie të tillë do të krijonte precedent për ndërhyrje në vendimmarrjet institucionale.

Kërkesa e Tom Dedës

Gjatë procesit, ish-prokurori Tom Deda kërkoi të bëhej palë e tretë në gjykim, duke pretenduar se largimi i tij nga detyra kishte lidhje me emërimin e Ols Dados.

Deda deklaroi se periudha e shkarkimit të tij dhe emërimit të Dados përkonin në kohë dhe pretendoi se largimi i tij kishte krijuar vendin për një tjetër emërim.

Gjykata e pyeti Dedën për interesin e tij të drejtpërdrejtë në proces, ndërsa ai u shpreh se në rast të ndryshimit të situatës juridike të Dados do të kërkonte dëmshpërblim.

Edhe kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata.

Debati për emërimin e Dados

Në seancë, Veliaj dhe avokati i tij ngritën pretendime lidhur me kriteret e emërimit të Ols Dados, ndërsa mbrojtja e prokurorit kundërshtoi këto pretendime, duke deklaruar se nëse ka ankesa për veprimtarinë e tij, ato duhet të ndiqen përmes rrugëve ligjore përkatëse.

Gjatë seancës, Veliaj ka kundërshtuar mënyrën e trajtimit të çështjes, duke pretenduar se po krijohet një pabarazi mes palëve.

“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, ndërkohë që të paditurve të tjerë po i largohen”, është shprehur Veliaj.

Ai ka deklaruar se ekzistojnë dy mundësi: ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk respekton këtë gjykatë, ose ka arritur në përfundimin se Ols Dado nuk është prokuror.

Veliaj ka përmendur edhe vendime të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si “plaçkë”. Sipas tij, gjykata duhet të rikthejë besimin te drejtësia.

“Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer”, ka deklaruar Veliaj, duke kërkuar pranimin e kërkesës së shoqatës “Asociacioni për Media e Drejtësi” për t’u bërë palë në proces.

Përfaqësuesit e shoqatës kanë argumentuar se çështja ka interes publik dhe lidhet me integritetin e sistemit të drejtësisë. Ata kanë pretenduar se përfshirja e Ols Dados në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 është një element që lidhet me kriteret dhe rrethanat e emërimit të tij si prokuror.

Nga ana tjetër, avokati i Ols Dados ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së shoqatës për ndërhyrje kryesore në gjykim. Ai ka argumentuar se çështja lidhet me një akt administrativ individual dhe se provat e paraqitura nga shoqata ishin vetëm njoftime procedurale nga gjykata.

Procesi pritet të vijojë në një fazë tjetër pas vendimit të Gjykatës Administrative, ndërsa pala e Veliajt ka paralajmëruar ankimin në Gjykatën Administrative të Apelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë