Nga Gazeta ‘Si’- Për njerëzit që kanë frikë nga fluturimet, tingëllon si skenë makthi; për të tjerët, si një film aksion. Por javën e kaluar, një pasagjer për pak sa nuk fluturoi jashtë avionit pasi një dritare u shkëput gjatë fluturimit.
Ljubisa Karović udhëtonte me një avion Boeing 737-800 të Malta Air (operuar për Ryanair) nga Selaniku, kur dritarja pranë vendit të tij u shkëput në ajër. Forca e dekompresionit i nxori kokën dhe shpatullat jashtë avionit, ndërsa bashkëshortja dhe pasagjerët e tjerë arritën ta mbanin brenda.
Si mund të ndodhte diçka e tillë dhe a mund të përsëritet?
Çfarë e shkaktoi shkëputjen e dritares?
Hetimet janë ende në zhvillim, por sipas dëshmive të pasagjerëve, dritarja u dëmtua pasi u godit nga copa që u shkëputën nga motori i djathtë, i cili pësoi defekt në rreth 4.900 metra lartësi.
Ryanair tha se avioni u kthye në Selanik menjëherë pas ngritjes pasi “një dritare e pasagjerëve u shkëput gjatë fluturimit”.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut deklaruan se avioni u detyrua të kthehej për shkak të një problemi në motorin e djathtë dhe dekompresionit të kabinës.
Pse pasagjeri nuk u thith plotësisht jashtë?
Sipas dëshmive, Karović kishte vendosur rripin e sigurimit, gjë që ishte vendimtare.
Ekspertët shpjegojnë se dritaret e avionëve janë relativisht të vogla dhe trupi i një të rrituri zakonisht bllokon hapjen. Për më tepër, ndryshimi i presionit zgjat vetëm pak sekonda.
“Rryma e ajrit është shumë e fortë në fillim, por ndalet sapo presioni brenda kabinës barazohet me atë jashtë saj”, shpjegon Jason Knight, pedagog i mekanikës së lëngjeve në Universitetin e Portsmouth.
Sa të rralla janë incidente të tilla?
Janë jashtëzakonisht të rralla, por jo të paprecedenta.
Rasti i fundit i ngjashëm ndodhi në vitin 2018 në një fluturim të Southwest Airlines nga Nju Jorku drejt Dallasit. Pasagjerja Jennifer Riordan u tërhoq përsëri brenda avionit nga udhëtarët e tjerë, por humbi jetën si pasojë e plagëve.
Edhe atëherë bëhej fjalë për një Boeing 737 me motorë CFM, ku një teh i ventilatorit të motorit u shkëput dhe theu dritaren.
Në vitin 2024, një panel dere u shkëput gjatë fluturimit të një Boeing 737 MAX të Alaska Airlines, por fatmirësisht vendet pranë tij ishin bosh.
Ndërsa pilotët kanë qenë historikisht ata që kanë rrezikuar më shumë, në rastet kur janë thyer xhamat e kabinës së pilotimit.
A është mrekulli të mbijetosh një incident të tillë?
Shumica e rasteve të viteve të fundit kanë përfunduar me të mbijetuar.
Karović ndodhet në spital, ku po trajtohet për plagë fizike dhe traumë psikologjike. Bashkëshortja e tij tha se ai kishte gjakderdhje nga hunda dhe goja, një dëmtim serioz në dorë dhe djegie nga fërkimi me rrjedhën e ajrit.
Në vitin 2018, një bashkëpilot i Sichuan Airlines në Kinë mbijetoi pasi u nxor pjesërisht nga dritarja e kabinës, duke pësuar vetëm një thyerje në kyçin e dorës.
Një nga rastet më të famshme mbetet ai i vitit 1990, kur një pilot i British Airways u mbajt për këmbësh nga kolegët për rreth 20 minuta pasi xhami i përparmë i kabinës u shkëput menjëherë pas ngritjes. Ai mbijetoi, megjithëse pësoi lëndime të rënda dhe pasoja psikologjike.
Ekspertët theksojnë se rreziqet kryesore janë mungesa e oksigjenit (hipoksia), traumat fizike dhe ato psikologjike.
Kush rrezikohet më shumë?
Më të rrezikuarit janë pasagjerët pranë dritares që nuk mbajnë rripin e sigurimit, veçanërisht personat me trup më të vogël.
Ata që ndodhen në rreshtat përpara ose pas dritares së dëmtuar mbrohen pjesërisht nga sediljet.
Ekspertët shtojnë se rreziku është shumë më i madh pranë dyerve të avionit, pasi hapjet janë më të mëdha, megjithëse incidente të tilla mbeten jashtëzakonisht të rralla.
Sa të rrezikshme mund të jenë?
Avionët janë projektuar për të përballuar humbjen e një dritareje, por dekompresioni mund të bëhet shumë i rrezikshëm nëse avioni është i vjetër ose nuk është mirëmbajtur si duhet.
Sipas Simon Bennett, ekspert i sigurisë ajrore në Universitetin e Leicester, avionët e vjetër mund të kenë çarje mikroskopike të akumuluara me kalimin e viteve, të cilat në raste të tilla mund të shkaktojnë dekompresion shpërthyes dhe madje çarje të trupit të avionit.
Pse ndodhin aksidente të tilla?
Hetimi do të përcaktojë shkakun e saktë të incidentit në fluturimin e Malta Air, por Bennett shpreh shqetësim për rritjen e përdorimit të nënkontraktorëve në prodhim dhe mirëmbajtjen e avionëve.
Sipas tij, historia ka treguar se pika më e dobët mbetet mirëmbajtja.
“Nënkontraktimi e bën shumë më të vështirë kontrollin e cilësisë, sepse sistemi bëhet më i shpërndarë,” thotë ai.
Çfarë duhet të bëjnë pasagjerët nëse ndodh një situatë e tillë?
Ekspertët thonë se masa më e rëndësishme është të mbani gjithmonë të lidhur rripin e sigurimit, edhe kur sinjali për rripat është i fikur.
Për ata që duan të minimizojnë rrezikun, rekomandohet shmangia e vendeve pranë dritares, veçanërisht në rreshtat që ndodhen ngjitur ose menjëherë pas motorëve.
Pasi kalon momenti fillestar i dekompresionit, rreziku që pasagjerët e tjerë të tërhiqen jashtë gjatë përpjekjeve për të ndihmuar është shumë i vogël.
Mbi të gjitha, ekspertët këshillojnë që të ndiqen pa hezitim udhëzimet e ekuipazhit të avionit.
“Njerëzit në kabinën e pilotimit dhe stjuardesat janë profesionistë të trajnuar. Ndiqni me përpikëri udhëzimet e tyre. Mos i nënvlerësoni demonstrimet e sigurisë para ngritjes – ato mund të bëjnë diferencën në një situatë emergjente,” përfundon Bennett./ The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje