Gazeta Si – Tre të rinj janë arrestuar në Himarë, pasi dyshohen si autorë të një grabitjeje me dhunë në fshatin Borsh, ku një 70-vjeçar është mbajtur peng me armë imituese dhe i janë marrë paratë.
Operacioni policor i koduar “Shuma” u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, pas kallëzimit të bërë nga i moshuari për ngjarjen e ndodhur më 12 korrik.
Sipas hetimeve, tre të rinjtë kishin vëzhguar për dy ditë banesën e 70-vjeçarit përpara se të kryenin grabitjen. Për realizimin e krimit, ata kishin marrë me qira edhe një automjet, të cilin dyshohet se e kanë përdorur gjatë lëvizjeve të tyre.
Policia bën me dije se njëri prej personave të arrestuar ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër procedim penal që lidhet me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Të arrestuarit dyshohet se kanë përdorur dhunë dhe kërcënime për të marrë paratë e të moshuarit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e veprimeve të secilit prej tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje