Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump tronditi aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik, por edhe shumë prej këshilltarëve të tij, pasi njoftoi papritur planin për të vendosur një tarifë mbi kalimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Vendimi shkaktoi një valë reagimesh diplomatike, ndërsa vendet e rajonit u përpoqën ta bindnin të hiqte dorë nga kjo ide, raportoi CNN, duke cituar burime të njohura me zhvillimet.
Njoftimi i së hënës erdhi pavarësisht paralajmërimeve disa mujore nga këshilltarët e Trumpit, të cilët argumentonin se një masë e tillë do të minonte objektivat e SHBA-së në konflikt dhe, njëkohësisht, do të legjitimonte pretendimet e Iranit për të vendosur tarifa në këtë korridor detar- një praktikë që administrata amerikane e kishte cilësuar vazhdimisht si të paligjshme.
Megjithatë, përballë përshkallëzimit të tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit, Trump vendosi të ecë përpara.
“Që nga ky moment, SHBA do të njihet si ‘MBROJTËSJA E NGUSHTICËS SË HORMUZIT’”, shkroi ai në Truth Social, duke premtuar vendosjen e një tarife prej 20% për të gjitha ngarkesat që kalojnë nëpër këtë rrugë strategjike detare.

Kaos në Shtëpinë e Bardhë
Deklarata e papritur shkaktoi një garë 24-orëshe brenda administratës amerikane dhe në Lindjen e Mesme për të kuptuar se si do të zbatohej konkretisht plani. Zyrtarët u përpoqën të përcaktonin se kush do ta paguante tarifën dhe si do të mblidheshin fondet.
Fillimisht u mendua se koston do ta përballonin kompanitë e transportit detar, por situata u ndërlikua më tej kur Trump deklaroi se faturën do ta paguanin aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik.
Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Katarit nisën kontakte urgjente me presidentin amerikan për ta bindur të hiqte dorë nga plani.
Tërhiqet pas telefonatave nga aleatët
Përpjekjet rezultuan të suksesshme. Të martën në mëngjes, Trump njoftoi se nuk do të vendoste tarifa dhe se vendet e Gjirit kishin premtuar investime të reja në ekonominë amerikane, në vend të pagesave për kalimin në Ngushticën e Hormuzit.
Këto shtete kanë premtuar tashmë investime me vlerë triliona dollarë në SHBA, megjithëse mbetet e paqartë se sa prej tyre do të realizohen në vitet e ardhshme.
“E hodha si ide dje dhe mendova se ishte një ide e mirë,” tha Trump të martën. “Më telefonuan mbretër, emirë dhe drejtues të vendeve të ndryshme. Ata janë partnerë shumë të fortë dhe më thanë se do të donin ta zgjidhnim ndryshe.”
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti kishte mbajtur “të gjitha opsionet në tryezë”, por se oferta për investime nga aleatët u konsiderua më e favorshme.
Lufta vazhdon, tensionet mbeten
Që prej rikthimit të SHBA-së në konflikt javën e kaluar, Trump ka deklaruar se lufta është praktikisht e fituar dhe se një tjetër fushatë intensive bombardimesh do të mjaftonte për ta detyruar Iranin të dorëzohej.
Megjithatë, zhvillimet në terren tregojnë të kundërtën. Irani vazhdon të jetë në gjendje të kërcënojë anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa trafiku detar është ulur ndjeshëm. Si pasojë, çmimet e naftës janë rritur në nivelet më të larta që nga periudha para marrëveshjes së paqes mes SHBA-së dhe Iranit muajin e kaluar.

Kundërshtime edhe brenda administratës
Trump e kishte përmendur edhe më herët idenë e vendosjes së tarifave, duke argumentuar se SHBA mban barrën kryesore të garantimit të sigurisë në këtë rrugë detare, edhe pse vetë nuk varet nga ajo për furnizimin me naftë.
Në prill ai kishte deklaruar se SHBA duhej të vendoste tarifa sepse “ne jemi fituesit” e luftës, ndërsa më vonë kishte hedhur edhe idenë e krijimit të një sipërmarrjeje të përbashkët me Iranin për administrimin e ngushticës.
Megjithatë, këshilltarët e tij e kundërshtuan vazhdimisht këtë plan. Sipas tyre, tarifat do të rrisnin më tej çmimet e naftës dhe gazit, duke shtuar presionin ekonomik mbi konsumatorët amerikanë dhe duke dëmtuar republikanët në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit.
Një tjetër shqetësim ishte se një masë e tillë do të binte ndesh me qëndrimin zyrtar të SHBA-së se asnjë shtet nuk ka të drejtë të vendosë tarifa në rrugët ujore ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte deklaruar në fund të qershorit:
“Asnjë vend nuk lejohet të vendosë tarifa apo pagesa në një rrugë ujore ndërkombëtare. Kjo është e drejtë ndërkombëtare dhe kështu funksionon në të gjithë botën.”
Reagimi i Iranit
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, reagoi menjëherë ndaj deklaratave të Trumpit, duke thënë se presidenti amerikan kishte të drejtë në parim.
“Kushdo që garanton kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit duhet të kompensohet për këtë shërbim.”
Ai shtoi me ironi se tarifa prej 20% ishte e tepruar.
“20% është sigurisht shumë. Ne do të jemi më të drejtë,” deklaroi Araghchi./ Cnn
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje