Nga Gazeta ‘Si’- Një përshkallëzim i ri i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe një rishikim i papritur i çmimeve të aseteve amerikane mund të shkaktojnë dëme të përhershme në ekonominë e Europës, ka paralajmëruar Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM), fondi i shpëtimit të eurozonës.
ESM deklaroi se megjithëse eurozona ka treguar “reziliencë të jashtëzakonshme” ndaj goditjeve të mëparshme- përfshirë krizën financiare të vitit 2008, pandeminë e Covid-19 në vitin 2020 dhe pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022- kjo aftësi për të përballuar krizat nuk mund të merret si e mirëqenë në një kohë borxhesh dhe deficitesh të larta, si edhe shpenzimesh në rritje për mbrojtjen.
Sipas institucionit me seli në Luksemburg, një “skenar negativ” ku një përshkallëzim i luftës së fundit SHBA-Izrael ndaj Iranit kombinohet me një “rishikim të papritur” të çmimeve të aksioneve dhe obligacioneve amerikane, mund ta shtyjë eurozonën drejt një recesioni nga i cili mund të mos rikuperohet plotësisht.
Në këtë skenar, goditja e dyfishtë do të linte pasoja afatgjata në ekonomitë europiane, duke rritur deficitin publik, nevojat për financim dhe duke përkeqësuar raportin mes rritjes ekonomike dhe normave të interesit. Sipas ESM, kjo do të krijonte një “plagosje të përhershme” të aktivitetit ekonomik.
Institucioni vlerëson se deri në vitin 2035, një kombinim i tillë goditjesh do t’i ulte prodhimit të brendshëm bruto të eurozonës me rreth 2%, një humbje e barabartë me ekonominë e plotë të Finlandës.
Raporti i ri vjen në një moment kur paralajmërimet për stabilitetin financiar global janë shtuar. Ndër rreziqet e përmendura janë sulmet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj pavarësisë së Rezervës Federale, vlerësimet rekord të tregjeve të aksioneve në SHBA, borxhi i lartë global dhe tensionet gjeopolitike në rritje.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për mundësinë që disa prej këtyre rreziqeve të ndodhin njëkohësisht. Andrew Bailey, kreu i Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB), ka deklaruar në prill se ekonomia globale përballet me një “goditje të dyfishtë”, ku paqëndrueshmëria e tregjeve mund të përkojë me një krizë tjetër, për shembull në sektorin e kredisë private.
Në një analizë shoqëruese, kryeekonomisti i ESM-së, Rolf Strauch, thekson se eurozona po përballet me një “bashkim të paprecedentë sfidash” që e bën të pashmangshëm marrjen e vendimeve të vështira politike.
Sipas tij, shumë vende do të duhet të zbatojnë konsolidim më të fortë fiskal për të ruajtur besueshmërinë e rregullave buxhetore të BE-së, të cilat kërkojnë që deficitet të mos kalojnë 3% të PBB-së dhe borxhi publik të mos tejkalojë 60%.
Ai paralajmëron se në të kundërt, tregjet financiare mund të fillojnë të kufizojnë vetë hapësirën fiskale të vendeve, duke krijuar pasiguri dhe paqëndrueshmëri më të madhe ekonomike.
Strauch gjithashtu ka ngritur shqetësime për mënyrën se si tregjet mund të reagojnë ndaj lehtësimit të fundit të rregullave fiskale të BE-së, i cili u bë për të ndihmuar vendet të përballojnë krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Iran, si dhe për të lejuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Sipas tij, çdo perceptim i dobësimit të kuadrit fiskal mund të lexohet nga tregjet si humbje disipline, duke rritur rrezikun e krizave të ardhshme.
Ai thekson se rreziqet për ekonominë europiane kanë ndryshuar thelbësisht gjatë dekadës së fundit.
Nëse më parë problemi kryesor ishte qëndrueshmëria fiskale e vendeve, sot vulnerabiliteti buron kryesisht nga varësia energjetike dhe hapja e madhe tregtare e ekonomisë europiane, çka i bën ekonomitë e vogla dhe të hapura veçanërisht të ekspozuara ndaj goditjeve globale./ Euractive
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje