Në Tiranë po mbahet protesta e radhës kundër qeverisë Rama. Me flamujt kombëtarë e ato të SHBA-së, protestuesit marshuan nga sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë me thirrjet “lironi çunat”, duke iu referuar protestuesve të arrestuar pas akteve të dhunës te Kuvendi. Nuk mungon as ‘refreni’, “Rama në burg, Berisha në burg”.
Në hapje të fjalimeve, fjalën e mori Dritan Goxhaj, që lexoi një deklaratë të grupit organizator me një urim për 4 Korrikun që shënon Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve.
“Sot, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, i urojmë popullit amerikan 250-vjetorin e Pavarësisë! SHBA është aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e popullit shqiptar që ka qëndruar pranë. Në këtë ditë, kujtojmë Deklaratën e Pavarësië. Ajo ishte shpallja e një parimi që vazhdon të frymëzojë popuj anembanë botës, se qeveritë e marrin legjitimitetin nga të qeverisurit. Deklarata e Pavarësisë na kujton se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por besim i dhënë nga qytetarët. Kur ky besim cenohet, shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin me mjete demokratike. Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve! Qoftë kjo ditë se liria nuk është dhuratë e pushtetit, por e drejtë e njerëzve”, lexoi Goxhaj.
Vajza e një protestuesi të arrestuar pas akteve të dhunës të Kuvendi, bëri thirrje për lirimin e protestuesve.
Ajo pretendon se babai Frrok Bardhi dhe i vëllai Everest Bardhi, të dy në qeli, janë dhunuar nga policia.
“Jam krenare për ata të dy. Babai dhe vëllai im u dhunuan gjatë protestës dhe sot ndodhen ne komisariatin numër 3. Nuk jam këtu për të përhapur urrejtje, askush nuk duhet të dhunohet për shkak të bindjeve apo se merr pjesë në një protestë. Ju bëj thirrje të mos heshtim përballë padrejtësisë. Lironi çumat, lironi çunat”, tha Arbria Bardhi.

Ndërkohë, disa prej tyre kishin përgatitur edhe një tortë për ditëlindjen e Edi Ramës, ku shkruhej: “Populli të uron dorëheqjen, merre edhe Saliun me vete”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje