Ekonomi

Bujqësia në rënie, mbahet nga bostanet e perimet. Ulet prodhimi i qumështit dhe vezëve

Nga Gazeta ‘Si’- Bujqësia shqiptare ka shënuar rënie në disa nga kulturat kryesore gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Prodhimi i grurit u ul me 10.1% krahasuar me një vit më parë, ndërsa prodhimi i pemëve frutore ra me 12.8%, duke zbritur në 253.450 tonë. Në rënie rezulton edhe prodhimi i patates me 7.2%, si dhe ai i ullinjve me 2.3%, i cili arriti në 143.383 tonë.

Megjithatë, jo të gjitha kulturat kanë ndjekur të njëjtën prirje. Prodhimi i perimeve u rrit me 1.5%, duke arritur në 1.45 milionë tonë, ndërsa bostanoret shënuan rritje me 5.7%. Edhe bimët medicinale vijuan trendin pozitiv, me një rritje prej 9.6% krahasuar me vitin 2024. Fieri, Tirana dhe Berati mbeten qarqet kryesore për prodhimin e perimeve në vend.

Edhe sektori i blegtorisë paraqitet me zhvillime të përziera, por me rënie të ndjeshme në disa kategori të rëndësishme të bagëtive. Numri i derrave pësoi tkurrjen më të madhe, me 28.,2%, duke rënë nga 104 mijë në 75 mijë krerë. Po ashtu, numri i dhive u ul me 7.9%, ndërsa ai i deleve me 3,8%. Rënie u regjistrua edhe te shpendët.

Nga ana tjetër, numri i gjedhëve u rrit me 1%, duke arritur në 275 mijë krerë, ndërsa numri i lopëve u shtua me 0,8%. Gjithashtu, numri i koshereve të bletëve u rrit me 9.8%, duke arritur në 645 mijë koshere në nivel kombëtar.

Sa i përket prodhimeve blegtorale, prodhimi i mishit u rrit me 2.5%, duke arritur në 133.604 tonë, ndërsa prodhimi i mjaltit u rrit me 6%, në 6.299 tonë. Në të kundërt, prodhimi i qumështit shënoi një rënie të lehtë prej 0.1%, ndërsa prodhimi i vezëve ra me 5.8%, nga 888 milionë në 837 milionë kokrra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë