Biznes

Përkeqësohet ndjeshëm indeksi i Klimës së Biznesit në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’-Indeksi i Klimës së Biznesit në Shqipëri, matur nga Dhoma Amerikane, ka shënuar rënie gjatë 2025-s, duke u vlerësuar me 40.34 pikë nga 100, rreth 6 pikë më pak se vitin e shkuar. 

Sipas AmCham, ky është një tregues negativ për mjedisin ekonomik dhe institucional në vend.

Anketa tregon se problemet më të theksuara mbeten konkurrenca e pandershme dhe prania e monopoleve në treg, burokracia qeveritare, klima politike e brendshme, niveli i informalitetit dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Korrupsioni vazhdon gjithashtu të perceptohet si një nga pengesat kryesore për zhvillimin e biznesit dhe përmirësimin e klimës së investimeve.

Nga ana tjetër, raporti evidenton disa tregues me vlerësim më pozitiv. Furnizimi me energji elektrike renditet si elementi më i favorizuar nga bizneset, i ndjekur nga kërkesa për mallra dhe shërbime në tregjet e eksportit, marrëdhëniet me autoritetet doganore, ecuria e investimeve dhe niveli i rendit e sigurisë në vend.

Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson se përmirësimi i klimës së biznesit kërkon reforma më të thella për uljen e burokracisë, luftën kundër informalitetit dhe korrupsionit, si dhe politika më efektive për zhvillimin e kapitalit njerëzor. Sipas saj, adresimi i këtyre sfidave mbetet vendimtar për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe tërheqjen e investimeve të reja në vitet e ardhshme.

Sipas raportit, pritshmëritë e bizneseve për vitin 2026 mbeten më optimiste se rezultati aktual, megjithëse hendeku mes pritshmërive dhe realitetit vijon të jetë i pranishëm edhe këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë