Taksa

Prona do të tatohet sipas vlerës së tregut, qeveria nxjerr ligjin e ri

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka hedhur në konsultim një ligj të ri për taksimin e pasurisë së paluajtshme në vend, që synon reformimi e sistemit aktual.  

Për të garantuar funksionimin e kësaj skeme, ligji sanksionon krijimin e Kadastrës Fiskale, një bazë qendrore të dhënash shtetërore ku do të regjistrohen, përditësohen dhe përpunohen në mënyrë elektronike të gjitha informacionet mbi faktorët e vlerës së pasurive, si sipërfaqja, vendndodhja apo kategoria e përdorimit.

Zbatimi i plotë i kësaj takse të re vendore do të bëhet me faza gjeografike dhe kohore, duke filluar nga viti 2029 për të gjitha njësitë e ndërtesave dhe nga viti tatimor 2031 për parcelat, ku përfshihen tokat truall, tokat pyjore dhe ato bujqësore.

Nën regjimin e ri të taksimit mbi vlerën e tregut, Këshillat Bashkiakë do të kenë kompetencën të caktojnë shkallët specifike të taksës brenda fashave dhe intervaleve të përcaktuara në mënyrë strikte nga ligji. Për njësitë e ndërtesave që përdoren për nevoja banimi, shkalla e taksës do të variojë nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës së vlerësuar, ndërsa për ndërtesat e destinuara për veprimtari ekonomike si tregti, industri apo shërbime, kjo fashë do të jetë nga 0.15% deri në 0.25%.

Për sa u përket parcelave, shkalla e taksës për kategoritë e tokës bujqësore-blegtorale dhe asaj pyjore do të jetë nga 0.05% deri në 0.15%, ndërsa për tokat truall dhe ato me përdorime të tjera do të aplikohet një fashë nga 0.075% deri në 0.175%.

Ndërtesat e papërfunduara, të cilat janë ende në fazë ndërtimi, do të penalizohen me një shkallë takse prej 30% të shkallës së kategorisë përkatëse ku ato klasifikohen.

Bashkitë janë të detyruara të përcaktojnë vlerën e taksueshme të çdo pasurie deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, duke marrë në konsideratë faktorët e vlerës që ekzistojnë në terren deri më datë 30 nëntor.

Një nga shtyllat më të rëndësishme lehtësuese të këtij projektligji është zbritja automatike për banesën e parë të individëve, e cila është e barabartë me 50% të vlerës së vlerësuar të saj.

Për të parandaluar deformimet apo abuzimet, ligji vendos pragje maksimale të kësaj zbritjeje të ndara në shtatë kategori bashkish, të cilat reflektojnë realitetin e çmimeve të tregut të pasurive të paluajtshme në vend.

Bashkia e Tiranës mban pragun më të lartë gjeografik me 8.4 milionë lekë, e ndjekur nga kategoria e dytë ku përfshihen Durrësi, Himara, Vlora dhe Saranda me një prag maksimal prej 4.75 milionë lekësh. Kategoritë e tjera zbresin gradualisht nga 3.55 milionë lekë për bashki si Elbasani apo Korça, deri në pragun minimal prej 750 mijë lekësh për bashkitë Fushë-Arrëz dhe Memaliaj. Individët që zotërojnë vetëm një banesë e përfitojnë këtë zbritje automatikisht, ndërsa ata që kanë dy ose më shumë banesa duhet të vetëdeklarojnë njësitë që shërbejnë si vendbanim parësor.

Projektligji specifikon gjithashtu një listë të gjerë përjashtimesh ku taksa mbi pasurinë nuk do të aplikohet, duke mbrojtur kategoritë sociale dhe asetet strategjike publike. Përjashtohen plotësisht pasuritë e paluajtshme shtetërore, me kushtin që ato të mos jenë dhënë me qira, enfiteozë apo të përdoren për qëllime fitimprurëse nga privatët apo shoqëritë shtetërore. Përjashtim përfitojnë objektet e kultit fetar, banesat sociale, përfaqësitë diplomatike në kushte reciprociteti, si dhe e gjithë infrastruktura lineare që përfshin minierat, digat, rrjetet e energjisë, rrugët, urat, tunelet apo pistat e aeroporteve.

Në aspektin social, përjashtohen nga taksa banesat e kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe ato të kryefamiljarëve që përfitojnë vetëm pension pleqërie, invaliditeti apo social dhe që jetojnë vetëm ose me persona në ngarkim të paaftë për punë.

Në fushën e turizmit, strukturat akomoduese si hotelet dhe resortet me katër apo pesë yje që mbajnë një markë tregtare të njohur ndërkombëtarisht (brand name) gëzojnë përjashtim nga taksa së bashku me parcelën e tyre për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i aktivitetit ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë