Nga Gazeta Si-Kisha Katolike e Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat kundër resortit në Zvërnec, duke i bërë thirrje politikës që të dëgjojë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje përmes dialogut.
“Nga ana jonë si Ipeshkvij të Kishës katolike, vlerësojmë se çdo zhvillim i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt. Papa Françesku, në Letrën e tij Enciklike Laudato si’, thotë: Parashikimi i impaktit ambiental të sipërmarrjeve dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që i ikin detyrimit për të informuar dhe një debati të thelluar”, thuhet në reagimin e Kishës Katolike.
Sikurse thoshte Shën Pali VI, shtohet në reagim, ky zhvillim duhet të përfshijë të gjithë njerëzit dhe krejt njeriun (Populorum progressio, 42).
“Kjo është pjesë e Doktrinës shoqërore të Kishës dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh, jo vetëm krijimin e strukturave si qëllim në vetvete, por të ketë në qendër njeriun me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare”.
Përfaqësues të Kishës Katolike thonë se protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumë të rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrjen dhe në artikulimin e shumë protestuesve.
“Kisha nuk ka për detyrë të gjejë zgjidhje, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik”.
Kisha Katolike fton përfaqësuesit e politikës që të zgjedhin tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve të thjeshtë të popullit që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtën të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit.
“Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikën dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, bashkë me rrugën e dialogut politik dhe shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave politike dhe demokratike të një vendi që ka si synim integrimin evropian”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje