Gazeta Si – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi para Komisionit të Ligjeve nismën për Amnistinë Penale, duke theksuar se në të nuk përfshihet asnjë person i dënuar për korrupsion nga Gjykata e Posaçme. Përjashtim nga çdo përfitim i mundshëm, përbën edhe krimi i organizuar, terrorizmi dhe krimet e rënda.
“Nëpërmjet zbatimit të amnistisë, një nga efektet kryesore është edhe ulja e numrit të të dënuarve në institucionet penitenciare. Ulja e numrit të personave të burgosur përmirëson kushtet në këto institucione, duke garantuar trajtimin e tyre në përputhje me rregullat evropiane të burgjeve”, tha Gogu.
Ai tha se pasi ky projektligj të miratohet, do të ketë 10% ulje në popullimin e burgjeve duke sjellë lirimin e menjëhershëm të 380 personave.
“Aktualisht, në sistemin e burgjeve janë të akomoduar gjithsej 4 982 persona, nga të cilët 1 827 të dënuar dhe 2 629 të paraburgosur (gjendja datë 24.12.2025). Janë analizuar të dhënat për personat e burgosur që ndodhen aktualisht në sistemin e burgjeve dhe, referuar kritereve të ligjit nr.33/2024, ‘Për dhënie amnistie’, rezulton se rreth 380 shtetas përfitojnë lirimin e menjëhershëm dhe rreth 900 shtetas përfitojnë ulje dënimi, nëse zbatohen të njëjtat kritere të përcaktuara në këtë ligj”.
Projektligji parashikon gjithashtu ulje dënimi me një vit për burrat dhe me një vit e gjysmë për gratë dhe të miturit që nuk përfitojnë lirim të menjëhershëm. Gogu tregoi me detaje kush përfiton dhe kush jo nga amnistia.
“Të gjithë burrat që janë dënuar deri më 3 vjet ose i kanë mbetur më pak se 3 vjet, lirohen menjëherë. Të gjitha gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose i kanë mbetur më pak se 4 vjet, lirohen menjëherë. Të gjithë burrat +60 vjeç dhe gra +50 vjeçe lirohen menjëherë. Të miturit të cilët në momentin e krimit kanë qenë nën 18 vjeç lirohen menjëherë. Të gjithë të dënuarit e tjerë burra marrin një vit ulje, gratë 1.5 vite”, shtoi ministri.
Gogu shpjegoi se “përjashtohen nga amnistia të gjithë ata nuk mund të ketë kryer krime të rëndë, vrasjet në rrethana cilësuese, krimet seksuale, trafikimi, korrupsioni që është nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO apo krimet zgjedhore. Kushti kryesor do të jetë që dënimi duhet të jetë dhënë deri në 31 dhjetor 2025″.
Ministri theksoi se të drejtat civile të viktimave mbeten plotësisht të paprekura, pasi amnistia prek vetëm marrëdhënien penale mes shtetit dhe autorit të veprës, ndërsa e drejta për dëmshpërblim vijon të mbrohet nga ligji.
Gogu u ndal edhe te ndikimi i amnistisë në sistemin penitenciar. Aktualisht, burgjet shqiptare kanë një kapacitet prej 5 mijë e 292 vendesh dhe strehojnë 4 mijë e 769 persona.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, zbatimi i amnistisë do të sjellë uljen e nivelit të zënies në sistem, duke krijuar kushte më të mira për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje