Nga Gazeta ‘Si’- Rreth dy milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 7 qershor – të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë.
Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe – nuk sollën marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo çoi automatikisht në shpërndarjen e Kuvendit mesnatën e 28 prillit – vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit të tij – dhe dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja.
Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
Njësoj e vetme garon edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashikojnë tre skenarë të mundshëm: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja.
Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në BE, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje