Gjyqi në GJKKO, Metës i refuzohet transmetimi ‘live’: Banoj te 313-ta, jam beqar!
11:12 - 05 Qershor 2026
Ilir Meta në kafazin e xhamit në GJKKO dhe Monika Kryemadhi në sallë
Gazeta Si – Gjykata e Posaçme nuk ka lejuar transmetimin “live” të seancës së parë të gjykimit të veçuar ndaj ish-presidentit, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurisë.
Ashtu si dhe në seancat e tjera, prania e kamerave brenda në sallë nuk është lejuar dhe të gjithë mediat janë nxjerrë jashtë.
Po ashtu, Meta nuk ka qëndruar në krah të avokatit të tij Kujtim Cakrani, por ka komunikuar përmes hapësirës në kafazin e xhamit.
Çështja ndaj të dyve u rishortua, pasi treshja gjykuese që pati në duar çështjen, pranoi kërkesën e tre të bashkëpandehurve për gjykim të shkurtuar.
Për efekt procedure, nga trupa e re, Metës ju kërkua edhe njëherë konfirmimi i gjeneraliteteve. “Për momentin banoj tek 313-ta dhe jam beqar, i divorcuar”, tha Meta, teksa u pyet për vendbanimin dhe statusin.
“Unë kërkoj ta rishikoni vendimin tuaj për të mos lejuar transmetimin live të procesit. Raporti i OSBE/ODIHR dëshmon se 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Nuk shoh asnjë arsye që ky proces të mos jepet live. Ju me të drejtë thoni, që gazetarët mund të raportojnë, por referuar raportit, media kontrollohet nga qeveria, që do ta deformojë procesin. E them këtë edhe për shkak të funksioneve që kam pasur dhe detyrimit që kam ndaj qytetarëve, të dinë ç’ndodh në gjyqin tim”, tha Meta.
Ndërsa Monika Kryemadhi pretendoi se nuk mund të aksesojë një USB, që i është dhënë nga SPAK, me të dhënat e akt-ekspertimit të telefonit të saj.
“E kemi marrë USB-në. E kemi hapur, por pasword-i që na është dhënë është i gabuar. Nuk e hap materialin. E di që ekspertimin e telefonit tim e ka bërë një izraelit e mbase nuk është më në Shqipëri. Madje di edhe që është paguar një faturë e majme, gati 10 mijë euro për ekspertimin e telefonit tim”, tha Kryemadhi.
Meta akuzohet për tre vepra penale, të cilat iu komunikuan më 4 gusht 2025, sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA. Ai akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.
Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Lini një Përgjigje