Drejtësia

Siguruan kushtet për vrasjen Sokol Sanxhaktarit dhe Indrit Dokles, dënohen me nga 4 vite burg Florenc Çapjan dhe dy të tjerë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me nga 4 vite burg Florenc Çapjan, Elvin Merlikën dhe Alket Xhixhën.

Sipas vendimit të dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kujtim Vraniçi, Rudina Palloj dhe Marinela Osmani, të tre të pandehurit u gjykuan me procedurë të shkurtuar.

Fillimisht, gjykata caktoi ndaj secilit prej tyre një dënim prej 6 vitesh burg për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, si dhe 2 vite burg për akuzën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas vendimit, Florenc Çapja u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, ndërsa Elvin Merlika dhe Alket Xhixha për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Indrit Dokles.

Emri i Elvin Merlikës doli në dosje ‘Plumbi i Artë’, teksa i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer se Elvin Merlika së bashku me Alket Xhixhën e kanë takuar në Kosovë duke i propozuar atij vrasjen e Indrit Dokles.

Vrasja e Dokles u kërkua nga Ervis Martinaj, i cili i ofroi edhe 500 mijë euro Dumanit për vrasjen e Dokles, ish anëtar i bandës së Durrësit.

Florenc Çapja u ekstradua nga Dubai në maj të vitit 2025, pasi ishte në arrati prej 10 vitesh. Përveç dënimit me burg përjetë për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir në Elbasan, ai ishte shpallur në kërkim për vepra të tjera penale nga SPAK dhe Prokuroria e Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë