Gazeta Si – Skena përsëritet çdo ditë në miliona shtëpi: një fëmijë kërkon vështrimin e prindit, ndërsa ky i fundit shfleton njoftimet, u përgjigjet mesazheve ose kontrollon përditësimin më të fundit në telefonin e tij celular.
Është bërë një gjest automatik, pothuajse i padukshëm. Megjithatë, sipas Suedisë, mund të ketë pasoja shumë më të thella nga sa imagjinojmë.
Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik, ka vendosur t’u dërgojë një mesazh të qartë familjeve: lëreni mënjanë telefonin celular kur kaloni kohë me fëmijët tuaj.
Kjo nuk është vetëm një thirrje për moderim, por një rekomandim i vërtetë zyrtar i mbështetur nga studime që tregojnë se si zakonet digjitale të të rriturve ndikojnë drejtpërdrejt në ato të fëmijëve.
Shembulli flet më shumë se fjalët – “Përdoreni telefonin vetëm kur keni nevojë ose kur e përdorni me fëmijën tuaj”.
Ky është një nga rekomandimet më të qarta në udhëzimet e reja të publikuara nga autoriteti suedez i shëndetësisë.
Parimi është i thjeshtë: fëmijët mësojnë duke vëzhguar. Ata nuk dëgjojnë vetëm atë që thonë të rriturit, por edhe përthithin atë që shohin të bëhet çdo ditë.
Nëse mami dhe babi kalojnë shumë kohë para një ekrani, fëmijët e tyre kanë më shumë gjasa të zhvillojnë të njëjtën sjellje.
Ky përfundim del fuqishëm nga një hulumtim i porositur nga qeveria suedeze për të analizuar marrëdhënien midis mirëqenies së fëmijëve dhe përdorimit të pajisjeve digjitale nga prindërit.
Zonat “pa telefona” brenda shtëpisë – Ndër risitë më konkrete, është propozimi për të krijuar hapësira shtëpiake plotësisht pa ekrane.
Dhoma e gjumit dhe tavolina e ngrënies identifikohen si vendet simbolike për t’u ruajtur. Hapësira ku mund të rilidhemi në biseda, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të shijojmë momente vëmendjeje të pandarë, të lirë nga ndërhyrja e vazhdueshme e njoftimeve.
Qëllimi nuk është të demonizohet teknologjia, por të rivendoset vlera e pranisë. Në një epokë ku të qenit fizikisht në të njëjtën dhomë nuk do të thotë domosdoshmërisht se jemi vërtet bashkë.
Rreziku i një marrëdhënieje të prishur – Sipas ekspertëve të përfshirë në studim, përdorimi i shpeshtë i ekraneve nga prindërit, mund të rrezikojë cilësinë e ndërveprimeve me fëmijët e tyre.
Ndërprerjet e vazhdueshme, madje edhe ato të shkurtra, në fund të fundit zvogëlojnë disponueshmërinë emocionale të të rriturve dhe aftësinë e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve.
Ministri suedez i Çështjeve Sociale, Jakob Forssmed, theksoi se shumë njerëz ende nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për ndikimin që sjellja e tyre digjitale ka tek fëmijët e tyre.
Ky ndërgjegjësim, duket gjithnjë e më urgjent sot, veçanërisht në një shoqëri ku kufiri midis jetës online dhe offline është bërë pothuajse i padukshëm.
Kujdes edhe me fotot në mediat sociale – Rekomandimet nuk kanë të bëjnë vetëm me kohën para ekranit.
Agjencia u kërkon prindërve të mendojnë me kujdes para se të postojnë imazhe ose video të fëmijëve të tyre në internet.
Mbrojtja e privatësisë së fëmijëve bëhet kështu një pjesë integrale e edukimit digjital familjar. Çdo përmbajtje e ndarë, mund të mbetet në internet për vite me radhë, duke kontribuar në zhvillimin e një identiteti digjital që fëmija nuk e ka zgjedhur personalisht.
Jo telefona para gjumit – Suedia kishte prezantuar tashmë udhëzime specifike për të miturit. Rekomandimet kërkojnë që fëmijët nën dy vjeç të mos kalojnë kohë para ekranit, maksimumi një orë në ditë për fëmijët midis dy dhe pesë vjeç, dy orë për fëmijët midis gjashtë dhe dymbëdhjetë vjeç dhe deri në tre orë për adoleshentët.
Vëmendje e veçantë i kushtohet gjumit: telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët, duhet të mbahen jashtë dhomës së gjumit natën, ndërsa përdorimi i pajisjeve digjitale duhet të shmanget në orët menjëherë para gjumit.
Drejt shkollave pa telefona? – Masat kundër përdorimit të celularëve, nuk do të ndalen në shtëpi. Vendi skandinav po përgatitet të prezantojë një ndalim kombëtar të telefonave inteligjentë në shkolla.
Masa do të bëhet pjesë e legjislacionit shkollor dhe do të prekë nxënësit deri në moshën 15 dhe 16 vjeç. Qëllimi i deklaruar, është të promovojë përqendrimin, të nxënit dhe ndërveprimin shoqëror gjatë orarit të shkollës.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje