Gazeta Si – GJKKO pranoi kërkesën e SPAK për pezullim të afateve të paraburgimit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj me argumentin se mungesa e 4 të pandehurve apo avokatëve të tyre po pengonte vijimin e procesit.
“SPAK çmon se jemi në kushtet për shtyrje të seancës, pasi pengesa shkaktohet nga mosparaqitja e të pandehurve apo avokatëve të tyre. Kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn”, deklaroi prokurori Ols Dado në sallë.
Në seancën gjyqësore të radhës që u mbajt sot në Gjykatën e Posaçme, Plarent Ndreca, avokati i Veliajt, e kundërshtoi këtë fakt duke theksuar se klienti nuk është shkak për shtyrjen e seancës dhe nuk ka arsye se përse të pezullohen afate e paraburgimit.
Në fund, Gjykata e Posaçme vendosi të ndërpresë seancën, duke e shtyrë në 10 qershor. Gjykata gjithashtu, vendosi të pezulloi gjithashtu afatet e paraburgimit për Veliajn.
Në seancën e parë me trupën e re gjykuese, mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ngriti edhe njëherë shqetësimin se procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës po zhvillohet në kushtet kur ai nuk është njohur plotësisht me dosjen dhe provat e SPAK.
Vetë Veliaj nuk ishte në sallën e gjyqit, por avokati Plarent Ndreca deklaroi në sallë se 24 fashikuj nuk i janë vënë ende në dispozicion në paraburgimin e Durrësit, ndërsa mungojnë edhe provat digjitale të dosjes. Sipas tij, vendimi nga treshja e parë e gjykatësve, për njohjen e plotë të të pandehurit me aktet nuk është zbatuar.
Nga ana tjetër prokurori i SPAK, Ols Dado kundërshtoi pretendimet e mbrojtjes për mungesën e akteve. Sipas tij, fashikujt që lidhen drejtpërdrejt me Veliajn janë dorëzuar fizikisht, ndërsa aktet e tjera janë pjesë e procedimit, por nuk i përkasin të pandehurit në fjalë.
Për provat digjitale, Dado tha se ato do të hapen dhe shqyrtohen gjatë procesit, pasi Veliaj do të gjykohet me gjykim të zakonshëm.
Ndonëse Veliaj vetë nuk ishte në sallë, në gjyq kishte edhe përfaqësues të Komiteti Shqiptar të Helsinkit për monitorimin e procesit, pas ankimit të kryebashkiakut se i shkelen të drejtat duke qëndruar në kafazin e qelqtë.
Veliaj dhe 10 të pandehur të tjerë do të gjykohen me proces normal, me treshen gjykuese të përbërë nga Elsa Ulliri dhe anëtarët Flora Hajredini e Besmir Stroka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje