Njerez

Raporti: Rreth 40% e mjekëve shqiptarë synojnë të largohen nga vendi

Nga Gazeta Si- 39.7% e mjekëve në Shqipëri dhe 46.5% në Kosovë kanë ndërmend të “emigrojnë”. Kjo tendencë është veçanërisht e lartë në grupmoshën 24-40 vjeç, ku 52.9% e mjekëve nga Shqipëria dhe 65.7% e mjekëve nga Kosova shprehën dëshirën dhe planet të largohen.

Një raport i fundit i European Training Foundation mbi “Aftësitë për migrim të drejtë dhe efikas të punës” tregon se një në dy mjekë të rinj nga Shqipëria planifikon të emigrojë.

Në raport thuhet se shkalla e mundshme e emigrimit është dukshëm më e lartë se shkalla aktuale e emigrimit që vijon.

Në raport theksohen dy momente: ‘planifikim për të emigruar’ dhe ‘ka gjasa për të emigruar’. Treguesi i parë bazohet në qëllimin e mjekëve për të emigruar ‘brenda një viti’ ose ‘brenda tre viteve të ardhshme’.

23.7% e mjekëve nga Shqipëria dhe 35.8% nga Kosova kanë ndërmend të emigrojnë brenda këtij afati kohor. Pjesa tjetër planifikon të emigrojë më vonë ose është e pasigurt. Meqenëse qëllimet afatgjata mund të zbehen ose të ndryshojnë me kalimin e kohës, varësisht nga kushtet socio-ekonomike, dhe meqenëse disa të anketuar ishin të paqartë për destinacionin e tyre, këta u përjashtuan nga llogaritja e këtij treguesi. Si pasojë, 19.4% e mjekëve nga Shqipëria dhe 31.1% nga Kosova bien në kategorinë ‘planifikojnë të emigrojnë’.

Si perceptohet një emigrim i tillë për sa i përket kohëzgjatjes së tij?

Pothuajse gjysma e emigrantëve potencialë nga Shqipëria dhe Kosova e përshkruan vendimin e tyre si “të hapur”, që do të thotë se kthimi i tyre përfundimtar do të varet nga ekuilibri midis kushteve të përmirësuara socio-ekonomike në vendlindje dhe mundësive në vendet pritëse. Rreth një e treta e emigrantëve potencialë nga Shqipëria thanë se kanë ndërmend të emigrojnë “përgjithmonë”, ndërsa në Kosovë, në të kundërt, shumica planifikojnë të emigrojnë “për një ose disa vite”.

Me fjalë të tjera, afërsisht dy herë më shumë mjekë të anketuar në Shqipëri kanë ndërmend të emigrojnë përgjithmonë sesa përqindja për Kosovën- 31.6% kundrejt 17.2% për të gjithë mjekët potencialë emigrantë dhe 30.4% kundrejt 15.5% për grupin më të ri të moshës 24-40 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë