Gazeta Si – Mustafa Martinaj, babai i biznesmenit të zhdukur prej gushtit 2022, Ervis Martinaj, ka dhënë këtë të enjte dëshminë e tij në GJKKO teksa zhvillohet procesi gjyqësor për pronat e sekuestruara të djalit të tij.
Me dilemën e madhe nëse i shumëkërkuari është gjallë apo i vrarë, procesi ndaj tij po vijon në GJKKO, ku babai dëshmoi se i vjen tup që pyetet për “lecka e tulla” kur të birin, sipas tij, ia kanë vrarë.
Martinaj foli për historinë e të birit, duke nisur që prej studimeve në Itali për ekonomi, rikthimin e tij në Shqipëri, e më pas përfshirja në biznesin e basteve.
“Visi fillimisht ishte student në Parma të Italisë, rreth vitit 2000-2001. Shkoi me bursë studimesh, studioi ekonomi dy vjet në Itali. Vajzat ishin shkollë Shqipëri; kur vajzat filluan studimet, Visi u transferua që të rrinte me të motrat në Tiranë. Pastaj më vonë u martuan, – tha ai. – Visi ka qenë mbi mesataren me studimet. Dëshironte të shkonte në shkollë në Itali. I la përgjysmë studimet në Itali dhe erdhi në Tiranë tek të motrat. Derisa shkoi në shkollë ishte shumë punëtor dhe i pëlqente pavarësia; në Itali nuk pati bërë asnjë punë”.
Duke treguar sesi djali i tij kishte nisur jetën pasi erdhi sërish në vend, Martinaj tregoi edhe se gjatë kohës së vështirë në vitin 1999 kishte qarkulluar “me 800 mijë euro cash në makinë”.
Për banesën të cilën Ervis Martinaj i kishte falur Elio Hatos, ai u shpreh se i biri e bëri në shenjë respekti, sepse ky i fundit i kishte shpëtuar jetën në ngjarjen e ndodhur në ish-Bllok në vitin 2018, ku mbeti i vrarë një nga miqtë e 43-vjeçarit pas përplasjes me një grup tjetër.
Më tej, ai shpjegoi se Ervisi në vitin 2018 iku nga Tirana dhe shkoi të jetonte me të në Laç, ku sipas tij qëndroi deri ditën kur u zhduk, më datën 9 gusht 2022. Martinaj tha gjithashtu se pas zhdukjes së të birit policia i ka shkuar 23 herë në shtëpi.
“Nga 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, detyrim 100% i paguar nga kompania si dhe ato vendore. Të parën pikë, s’mbahet mend ku e ka hapur. Po më pyeste mua, do t’i thoja jo. Mati Union e kam patur unë, është llogari transfertash; llotari fati unë personalisht s’kam patur. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve. Me djalin kam folur dhjetra herë për aktivitetin e tij”, – vijoi ai mes të tjerash.
Më herët, SPAK ka kërkuar konfiskimin e 34 pasurive të paluajtshme të Ervis Martinajt dhe personave të lidhur me të, pasi dyshohet se janë vendosur nga aktiviteti kriminal. Pasuria që kërkohet të sekuestrohet kap vlerën e 10 mililionë eurove.
Martinaj u shpall në kërkim nga policia në maj 2022, pasi u përmend nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, si organizator dhe porositës i vrasjes së Indrit Dokles me një vlerë prej 500 mijë euro, por edhe si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
I konsideruar si një ndër njerëzit më të shumëkërkuar në vend, Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij në gusht të vitit 2022, ndërsa fati i tij mbetet ende i panjohur.
Deri tani, për Martinajn ende nuk ka asnjë rezultat zyrtar nga hetimet. Në tetor 2025, Mustafa Martinaj ka kërkuar shpalljen e djalit të tij si të zhdukur.
Ndaj tij ka dy urdhërarreste nga SPAK, ndërsa përgjatë viteve, ka pasur kontrolle të shumta nga policia në disa banesa në zonën e Shijakut, Durrësit e Vlorës.
Po ashtu, SPAK ka sekuestruar pasuritë dhe llogaritë bankare të Martinajt dhe të afërmve të tij që prej vitit 2000.
Në sitë gjithashtu kaluan edhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, ku SPAK arriti të identifikojë një banesë në Surrel e blerë në letra nga një person tjetër, por që pas dëshmisë së tij, rezultoi se ishte blerë realisht nga Ervis Martinaj.
Një nga njerëzit që ka shoqëruar për herë të fundit Martinajn në gusht 2022, rezulton të jetë ish-polici Jeton Lami.
Pavarësisht marrjes në pyetje, Lami nuk zbuloi detaje rreth zhdukjes së “Mbretit” të lojërave të fatit, duke thënë se nuk kishte dijeni për fatin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje