Politike

BE i jep dritën jeshile IBAR-it për Shqipërinë, Konferenca Ndërqeveritare më 26 maj

Nga Gazeta ‘Si’– Më datë 26 maj pritet të mbahet Konferenca e radhës Ndërqeveritare me Shqipërinë, për të diskutuar rreth mbylljes së kapitujve për integrimin në Bashkimin Europian.

Raporti i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) për Shqipërinë ka avancuar zyrtarisht përtej nivelit të grupit teknik duke u përfshirë në agjendën e mbledhjes së të premtes të ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së.

Raporti mund të miratohet nesër si një “pikë I” pa diskutim nga ambasadorët.

Miratimi formal nga COREPER do të hapë rrugën për mbledhjen e konferencës ndërqeveritare më 26 maj për të filluar mbylljen e kapitujve të negociatave.

Që Shqipëria është vetëm një hap larg mbylljes së kapitujve me BE-në, këtë e tha edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla paraditen e sotme.

Në një dalje për mediat, duke u ndalur tek vizita e tij tre-ditore në Gjermani, ai tha se “Të qëndrojmë tek momentumi shumë i mirë që ka të bëjë me rrugën europiane të Shqipërisë. Jemi në përmbyllje të një jave që BE në respekt të procedurave burokratike kalon nga grupi i punës tek Komiteti i përfaqësuesve, nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale në shumë institucione shtetërore, nga gjithë ato djem edhe vajza të përfshirë në proces, që i kemi quajtur piketa të ndërmjetme.”

Për të disatën herë, Balla theksoi se të gjitha vendet anëtare e rekomandojnë si shembull për vendet e tjera. Madje shtoi se shumë ekspertë moldavë janë instruktuar të vijnë në vendin tonë për të parë rezultatet nga afër.

“Sa i takon Moldavisë, ekspertët moldavë vijnë në Shqipëri në mënyrë të rregullt për të parë nga afër se si e bëmë ne vetingun e gjyqtarëve”, tha Balla se kjo ishte “krenari për çdo shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë