Gazeta Si – Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato është shpallur e pafajshme nga Apeli i GJKKO-së, pasi më herët ishte dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata e Posaçme për shkelje me tenderin Kardhiq-Delvinë.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj, të cilët shpallën të pafajshëm edhe 9 të akuzuarit e tjerë të kësaj dosjeje, pasi sipas gjykatës “fakti nuk përbën vepër penale”.
Të pafajshëm u shpallën: Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari, Admir Pahumi, Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani, të akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Hetimi për procedurën e tenderit të lotit të 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë nisi pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili referoi materialet në SPAK për dyshime mbi shkelje në procedurat e prokurimit publik.
Për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ish-kryetarja e ARRSH-së, Sonila Qato u mor e pandehur në 26 tetor 2022.
Prokuroria e Posaçme i komunikoi akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për hetimet që zhvilloheshin për tenderin e kësaj rruge.
Hetimet ndaj Qatos dhe zyrtarëve të tjerë të ARRSH-së u zhvilluan, pas kallëzimit që është bërë nga një kompani ndërtimi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime me tenderin e rrugës.
Sipas KLSH-së, ka dyshimet që me tenderin e kësaj rruge ka abuzime në vlerën 5 milionë euro. Ndërsa në kallëzimin e saj, kompania pretendoi se është skualifikuar nga gara për tenderin në mënyrë të padrejtë dhe në shkelje të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje