Politike

Kandidati për ambasador në Shqipëri, Eric Wendt në Senat: Do mbështes SPAK, luftë korrupsionit dhe trafikut të drogës

Gazeta Si – Eric Wendt, i nominuar nga presidenti Donald Trump për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri, ka shplasour 4 prioritetet e tij në Komitetin e Jashtëm të Senatit amerikan nëse konfirmohet në detyrë si përfaqësuesi më i lartë në Tiranë.

Ai shprehu hapur mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për reformën në drejtësi dhe SPAK, kur theksoi se një nga prioritetet kryesore të Amerikës, do të jetë mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës.

Pyetjes së senatorëve se çfarë roli mendon se mund të luajë SPAK, ai iu përgjigj: “SPAK është një strukturë e rëndësishme jopolitike. Prokurorët i nënshtrohen një kontrolli të kujdesshëm, përfshirë edhe testin e poligrafit. Ata kanë hetuesit e tyre specialë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Nëse konfirmohem, do të shtyj përpara dhe do të mbështes punën e tyre të papolitizuar. Ata kanë komunikim të rregullt me SHBA-në. Puna e tyre do të jetë kritike, për sa kohë që mbeten të papolitizuar”.

Ai paralajmëroi një angazhim më të fortë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht trafikimit të lidhur me kartelet e Amerikës Latine.

Diplomati amerikan tha se synon të rrisë bashkëpunimin për sigurinë mes dy vendeve, përfshirë edhe fushën kibernetike.

“Nëse konfirmohem, prioritet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane. Nëse konfirmohem në atë post do të ketë katër linja veprimi, në rrugën tonë përpara për të zhvilluar më tej rrugën e ambasadës në këtë vend dhe gjëja e parë është që do të kërkoj mënyra për t’i bërë amerikanët më të sigurt dhe duke mbështetur Shqipërinë, që të vazhdojnë rrugën e tyre kundër korrupsionit, krimin që lidhet me trafikimin e kartelet e Amerikës Latine. Do të ndihmojmë që ta bëjmë Shqipërinë dhe Amerikën më të sigurt”.

Një tjetër objektiv i tij do të jetë mbështetja e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5% deri në vitin 2035.

Wendt u ndal edhe te zhvillimi ekonomik, duke përmendur sektorët e energjisë, minierave dhe investimeve amerikane në Shqipëri.

Ai theksoi se investitorët amerikanë duhet të përballen me më pak pengesa ligjore në vend. Wendt deklaroi se fokusi i mandatit të tij do të mbetet siguria dhe mirëqenia e qytetarëve të të dy vendeve.

“Do të ketë përfitime edhe siguria në Shqipëri. Do të punoj me gjithë shpirt që të bëhet progresi i Shqipërisë, drejt samiti të NATO-s. Do të rris shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% në 2035. Do të rritet siguria kibernetike në të dyja vendet. E treta, do të fiksohemi në bërjen e Amerikës më të zhvilluar. Në këtë rast do të përfitojë edhe Shqipëria në energji, në miniera dhe në sektorë të ndryshëm ekonominë. Investitorët amerikanë duhet që të kenë më pak çështje ligjore dhe e katërta do të përqendrohemi në çështjet kryesore, që është siguria dhe njerëzit.”

Gjatë fjalës së tij, Wendt theksoi përvojën e gjatë ushtarake dhe diplomatike në shërbim të SHBA-ve, duke kujtuar se ka drejtuar operacione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe Afganistan.

Ai vlerësoi bashkëpunimin me trupat shqiptare në kuadër të NATO-s, duke i cilësuar ato si forca me “shpirt luftarak”. Sipas tij, shqiptarët janë një popull krenar, punëtor dhe mikpritës.

“U kam shërbyer SHBA-ve si një ushtarak në detyrë. Në Departamentin e Shtetit kam drejtuar një koalicion si koordinuar për Izraelin dhe Palestinën. Në atë pozicion kam operuar çdo ditë në ambasadën amerikane në Jerusalem duke raportuar direkte te sekretari i Shtetit. Ndërkohë që kam lënë uniformën dhe kam dalë në pension. Kam vazhduar në shkollën të marinës, në Kaliforni. Si komandat për operacionet speciale të NATO-s, trupat shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me ta në terren. Në Afganistan kam qenë zendëskomandat dhe komandat rajonal, ku kanë qenë të përfshirë trupat speciale shqiptare. Trupat shqiptare kanë shpirtin luftarak. Edhe populli shqiptar janë shumë krenare, njerëz punëtorë dhe shumë mikpritës”.

Prej rreth 1 muaji, presidenti amerikan Donald Trump propozoi gjeneral-lejtënantin në pension Eric Wendt për postin e ambasadorit të ri të SHBA-ve në Shqipëri, një post që vijon të mbetet vakant prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023.

Ai ka mbi 34 vite eksperiencë në ushtrinë amerikane, ku ka mbajtur poste të larta drejtuese dhe ka komanduar struktura me mijëra efektivë ushtarakë dhe civilë.

Për dy vite Wendt ka shërbyer edhe pranë Departamentit Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem, ku ka drejtuar një koalicion me tetë vende në rolin e Koordinatorit të Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë ai raportonte drejtpërdrejt te Sekretari amerikan i Shtetit.

Kandidatura e Wendt duhet të kalojë fillimisht në Komitetin për Politikë të Jashtme, ndërsa miratimi përfundimtar do të jepet nga Senati amerikan.

Pas largimit të Yuri Kim, ambasada amerikane në Tiranë drejtohet aktualisht nga e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn.

Kandidatura e mëparshme e propozuar nga Joe Biden për diplomatin David Kostelancik nuk arriti të miratohej nga Senati Amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë