Politike

Letra e Salianjit për PPE-të/ Berisha: E shkruar nga zyra e Ramës! Ai u vetëpërjashtua

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet nga gazetarët për letrën që ish-deputeti Ervin Salianji i ka dërguar Partive Popullore, për përjashtimin e tij nga gara për kryetarin e selisë blu.

Berisha tha se Salianji mund të shkruante letra sa të donte si njeri i lirë, por ai ishte i vetëpërjashtuar.

Kryedemokrati madje akuzoi ish-ligjvënësin se atë letër ia kishin shkruar “nga zyra e Ramës apo ndonjë tjetri”.

“Partia Demokratike është anëtarë e të gjitha atyre institucione dhe ai që shkruan letër është i përjashtuar nga kjo parti, por ai është i lirë të shkruajë letra, sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin”, u përgjigj Berisha mes të tjerash.

Dhe teksa e akuzoi Salianjin për bashkëpunim me “armikun” politik, mazhorancën socialiste, shtoi se “ato letra nuk kanë asnjë vlerë” për të.

“Ndaj letrat e shkruara nga zyra e Ramës apo ndonjë tjetri, s’kanë asnjë vlerë për Sali Berishën, secili mund të shkruajë letra”, tha kreu i selisë blu në mbyllje të konferencës.

Salianji, i është drejtuar me një letër Presidentit të Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Weber, si dhe drejtuesve të partive kryesore të qendrës së djathtë europiane pjesë e PPE-së, mes tyre Kancelarit të Gjermanisë Friedrich Merz dhe Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis, për të shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe shkeljen e standardeve demokratike të funksionimit të saj.

Në letër, Salianji ngre shqetësimin për bllokimin e garës për kryetar të Partisë Demokratike, mosrespektimin e statutit të partisë, përjashtimet arbitrare të anëtarëve dhe kandidatëve, mungesën e transparencës dhe shkeljen e rregullave themelore të pluralizmit politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë