Ngjarje

Shkupi vishet kuq e zi, studentët shqiptarë protestë për gjuhën: Duam provimin në shqip

Nga Gazeta ‘Si’– Studentët e universiteteve në gjuhën shqipe në Shkup dolën në protestë për të kërkuar respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Me pankarta të shumta të duar, studentët kërkuan dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov, i cili ua ka kundërshtuar këtë kërkesë studentëve.

Studentët deklaruan se beteja për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje politike.

“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.

Arlinda Emini nga Kumanova, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”, kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tha se studentët nuk do të tërhiqen.

“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët. Partitë politike nuk kanë marrë pjesë në organizim. Është organizim studentor”, deklaroi ajo.

Sipas burimeve tre studentë shqiptarë janë arrestuar gjatë protestës. Sipas informacioneve nga terreni, ndalimet kanë ndodhur gjatë marshimit të protestuesve drejt Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në zonë kishte prani të shtuar policore.

Kjo është protesta e dytë që organizojnë studentët shqiptarë dhe vjen si pasojë e refuzimit të kërkesës së tyre nga ana e ministrit të Drejtësisë.

Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtave të tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.

Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?

Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë