Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar 3 persona të akuzuar për trafikim emigrantësh në SHBA-Kanada, falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri shpalli fajtorë të pandehurit Luc Melaj, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj.
Sipas vendimit, Luc Melaj u gjet fajtor për disa vepra penale, përfshirë “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim dokumentesh”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.
Gjykata e dënoi fillimisht me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 8 vite burgim.
Vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë dhe llogaritet nga data e arrestimit të tij më 22 korrik 2024.
Ndërkohë, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u dënuan secili me nga 4 vite burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, por Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në provë për një periudhë 3-vjeçare.
Sipas SPAK, grupi që drejtohej nga Luc Melaj, ka ndihmuar 25 shqiptarë të hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA, përmes itinerarit Shqipëri-Spanjë-Meksikë-SHBA, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe pagesa prej 40-45 mijë dollarësh për person.
Personat që trafikuan, sipas Prokurorisë së Posaçme, janë nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje familjare me personat që jetojnë në SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje