Gazeta Si – Në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për disa krime të ndryshme në Shqipëri, është pyetur këtë të mërkurë në SPAK edhe Bashkim Rajku, babai i reperit Noizy, lidhur me shpërthimin me tritol në lokalin e tyre në vitin 2022.
Rajku tha se nuk kishte asnjë dijeni për autorët dhe se nuk kishte konflikte me askënd. Ndërsa u pyet për reperin Kleviol Ahmeti, shokun e Laert Haxhiut që urdhëroi vendosjen e tritolit, Bashkim Rajku pranoi se kishte patur “fërkime” me reperin Noizy për çështje muzike, por jo diçka e rëndë apo përplasje fizike.
Bashkim Rajku: Ngjarja ka ndodhur para 4 vitesh në 2022. Unë në ato momente kam qenë në gjumë. Kemi gjetur lokalin të shkatërruar. Banesën e kam në të njëjtin objekt, e kemi dëgjuar zhurmën. Kur ka ndodhur ngjarja ka qenë i mbyllur lokali. Administratorja e dyqanit të rrobave është vajza ime, nuk ka qenë aty. Djali im është muzikant. Kur ka ndodhur ngjarja nuk e mbaj mend ku ka qenë. Djali jeton në banesë tjetër, aty afër, në të njëjtin pallat. Zbritëm kur dëgjuam zhurmën. Kur zbrita poshtë, nuk e di nëse ka zbritur njeri tjetër. Pashë xhamat e thyer, prishur gjithçka. Lokali 100 metër katror, në kat të parë të pallatit. Roje s’ka pasur. Ne nuk dimë asgjë me çfarë lidhej ngjarja. Nuk e njoh as nuk e di autorin. S’kemi pasur probleme me askënd. Djali artist është, ku di gjë unë… Konflikt të madh nuk kemi, por çështje xhelozie…
Prokurori: E ke dëgjuar një Kleviol Ahmeti?
Bashkim Rajku: Ka pasur fërkime, çështje xhelozie me djalin tim. Më duket se nga Lushnja është.
Prokurori: Kur thoni xhelozi, për çfarë?
Rajku: Për punë muzike, edhe ai është këngëtar. Nuk di të ketë pasur konflikt fizik mes tyre.
Në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 28 maj, ora 14:00, gjykata do të thërrasë sërish Rigels Rajkun, reperin e njohur si Noizy, ndërkohë është kërkuar si dëshmitar edhe reperi tjetër Kleviol Ahmeti.
Sipas hetimeve të SPAK, tritoli u vendos me urdhër të Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë veprash kriminale, pas sherrit të Noizy-t me një tjetër reper, Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin Cllevio Serbiano.
Ishte i penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ai i cili zbuloi porositësin e vënies së tritolit, Haxhiun, i cili nuk kishte hezituar pasi kishte parë dhunën e ushtruar ndaj shokut të tij, Cllevio-s.
Haxhiu, është dënuar me burg përjetë për atë që njihet si “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e ndodhur në vitin 2017.
Më 4 tetor 2025, Prokuroria e Posaçme çoi në gjyq Laert Haxhiun dhe dy të tjerë të akuzuar si të përfshirë në vrasje e disa ngjarje të tjera kriminale.
Mes 15 episodeve kriminale që i faturon SPAK të dyshuarve, është edhe “shkatërrimi me eksploziv” i një lokali në pronësi të Rigles Rajkut dhe të atit të tij në zonën e Currilave në Durrës në 8 qershor 2022.
Për eksplozivin e vendosur 4 vjet më parë në lokalin në pronësi të reperit dhe të atit, SPAK akuzon të penduarin e drejtësisë, ArtanTafani dhe të pandehurit Lulëzim Spahia e Erisiano Abedini.
Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK tha se Haxhiu, në rolin e drejtuesit të grupit, është pjesëmarrës dhe porositës i tre vrasjeve: ekzekutimit të Çajup Selimit në Tepelenë, Fridman Xhaferrajt në Korçë dhe Alban Semakut në Peqin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje