Drejtësia

Mashtruan qytetarët dhe u vodhën llogaritë bankare, arrestohet holandezi,

Nga Gazeta Si- Një SMS që dukej krejt normal, me emrin e një banke, u ka kushtuar disa qytetarëve humbjen e të dhënave bankare.

Policia e Shtetit thotë se pas mesazheve fshihej një skemë mashtrimi kibernetik, ku përdoruesve u kërkohej të “përditësonin” të dhënat e tyre duke klikuar në një link që imitonte faqen zyrtare të bankës.

Sapo hynin në link dhe plotësonin informacionin, qytetarët u jepnin autorëve akses në të dhënat e tyre bankare.

Si autor i dyshuar është arrestuar një 25-vjeçar me nënshtetësi holandeze, i identifikuar me inicialet I.K., ndërsa një tjetër person, me inicialet A.R., është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, mesazhet mashtruese dërgoheshin në emër të një institucioni bankar dhe kishin si qëllim marrjen e të dhënave të klientëve. Policia nuk ka bërë të ditur sa persona janë dëmtuar apo sa është vlera e parave të përfituara përmes skemës.

Ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Falsifikim kompjuterik”. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë linke të dyshimta që u vijnë me SMS apo email dhe të mos japin të dhëna bankare përmes faqeve të panjohura.

Sipas policisë, asnjë bankë nuk kërkon përditësim të të dhënave personale apo bankare përmes mesazheve në telefon, ndaj qytetarët të tregojnë kujdes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë