Gazeta Si – Dëshmitarët e thirrur nga SPAK në gjyqin ndaj Kristian Shkrelit, kryebashkiaku socialist i Vaut të Dejës, nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, kanë mbajtur qëndrim mohues gjatë seancës së kësaj të marte.
Dëshmitari Anton Lumi këmbënguli se nuk e njeh kryebashiakun dhe tregoi detyrat e tij si elektricist për linjat elektrike në fshatrat e Shkodrës.
Po ashtu, dëshmitari Klaudjo Fusha, u shpreh: “Punoj me OSHEE Shkodër, elektricist. Jam në dijeni dhe kam punuar vetëm 1 ditë aty. Kohën fiks nuk e mbaj mend. Aty më ka çuar shefi i teknikës për të shtrirë një kabull. Kam punuar rreth 8 orë. Nuk e njoh Kristian Shkrelin dhe as nuk e kam takuar kurrë”.
Avokatja e Shkrelit, tha se ky proces po bëhet qesharak, sepse sipas saj kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë krim për sa kohë u ka ofruar mbështetje banorëve për nevojat e tyre, ndërsa investimi është kryer nga OSHEE.
Por gjatë seancës, SPAK kundërshtoi dëshmitarin Anton Lumi dhe Klaudjo Fusha, duke këmbëngulur se kanë dhënë deklarata të tjera gjatë hetimit paraprak.
Një tjetër dëshmitar, Kastriot Gavoçi, i punësuar si elektricist pranë OSHEE tregoi se mbulonte si elektricist disa fshatra.
Edhe për këtë dëshmitar, prokurori Dritan Prençi kundërshtoi dëshminë në gjykatë, pasi ndryshe ka pohuar gjatë hetimeve paraprake.
Sipas Prençit, dëshmitari ka thënë gjatë hetimeve: “Më telefonoi drejtori im që të shkoja për shtyllat, pashë gropat e hapura dhe kujtoj se shtyllat vendoseshin me vinç dhe unë me fadromë mbylljen e tyre”.
Seanca e radhës u caktua më 19 maj, ora 15:00, pasi prokurorisë i duhet kohë për prova shkresore.
Kristjan Shkreli është marrë i pandehur nga SPAK, pasi dyshohet se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ka ndikuar në mënyrë të paligjshme në vota në favor të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë.
Sipas hetimeve të SPAK, Shkreli ka qenë i përfshirë aktivisht në fushatën zgjedhore në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e rrjetit të energjisë elektrike.
Ky investim është realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërsa dyshohet se në këmbim u është kërkuar banorëve të zonës të votojnë për subjektin politik të preferuar prej tij, PSD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje