Gazeta Si – Ajo që nisi si një protestë e heshtur, ose marshim pa fjalime para kryeministrisë, vazhdoi me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjithçka zgjati rreth 2 orë, mes reshjeve të shiut, fjalimeve politike me megafon, motovovëve, topave të ujit dhe përplasjes me policinë për të çarë kordonin.
Dhe në fund të protestës, mesazhe politike kundër regjimit dhe reagimit policor, me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili u kthye në selinë e PD i shoqëruar nga mbështetësit e tij.
Sipas burimeve, deri më tani, 3 persona janë shoqëruar në komisariat lidhur me zhvillimet e këtij tubimi. Një numër ky, disa herë më i ulët krahasuar me protestat e mëparshme.
Si pasojë e hedhjes në drejtim të punonjësve të policisë të bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta nga disa protestues, u lënduan 3 efektivë. Ata u dërguan për mjekim në Spitalin Ushtarak dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Me strategjinë e re, militantët e PD qëndruan 1 orë në heshtje para kryeministrisë, me disa mesazhe përmes një megafoni dhe u larguan pa hedhur asnjë molotov.

Më pas, demokratët u urdhëruan të marshojnë në drejtim të bllokut të ministrive. Por ata hodhën molotovë gjatë marshimit të tyre, ndërsa nga ana tjetër, policia i ka shpërndarë duke u përgjigjur me ujë dhe spraj përmes një autoboti.
Tubuesit tentuan çarjen e kordonit të policisë për të dalë nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por përpjekja e tyre nuk ka qenë e suksesshme, pasi policia kishte dhënë leje vetëm te ky perimetër për të protestuar dhe jo jashtë saj.
Ndërkohë edhe deputetët e PD-së janë përplasur me kordonin e policisë të cilët kanë tentuar t’i shpërndajnë.

Situata në vendngjarje u përshkallëzua për disa momente, ndërsa forca të shumta policie ishin në terren për të mbajtur nën kontroll turmën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidenteve.
Sakaq, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike janë siguruar me maskë anti-gaz.
Në fakt, uji nuk kurseu as kryedemokratin, i cili zgjodhi këtë herë të qëndrojë në frontin e parë, bashkë me njerëzit e tij të afërm. Në fund drejtuesit e protestës i drejtuan protestuesit në selinë e Partisë Demokratike.

Ajo që ka bërë përshtypje këtë protestë ka qenë mungesa e fjalimeve politike nga ana e eksponentëve të opozitës.
Pavarësisht nga reshjet e shiut, në marshimin-protestë të opozitës, qindra qytetarë u grumbulluan para kryeministrisë.
Në terren ishin 1.500 efektivë policie, por edhe vetë drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita, i cili u ka bërë thirrje policëve që të ruajnë qetësinë përballë provokimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje