Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka zbutur masën e sigurisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Më herët, Karçanaj ishte caktuar nga GJKKO të qëndronte në “arrest shtëpiak” në kuadër të dosjes “AKSHI” për të cilën akuzohet nga SPAK.
Por Gjykata e Lartë vendosi “detyrim paraqitje” në policinë gjyqësore dhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i bllokuar pasaportën.
Mes personave nën hetim për dojen”AKSHI”, është edhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj dhe disa biznesmenë.
Ata akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme me dhunë, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera publike, korrupsionin pasiv të funksionarëve publikë, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, si dhe pastrim parash.
Ishte data 16 dhjetor 2025, kur Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion lëshoi 8 masa sigurie, për abuzim me tenderat e AKSHI-t.
GJKKO e la Karçanajn në “arrest shtëpie” më 5 shkurt të këtij viti. Ajo bëri ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për zbutjen e masës së sigurisë, kërkesë që u rrëzua.
Përpos Karçanajt, në “arrest shtëpie” u la edhe ish-numri dy i agjencisë, ndërsa masë më e shtrënguar sigurie u caktua për tre biznesmenë. Pjesë e së njëjtës dosje, zëvendësdrejtori i policisë Tiranë, Erjon Ismaili, u pezullua nga detyra.
Nën hetim janë administratorë të disa kompanive të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Sipas SPAK, në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, ata kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje