Gazeta Si – Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ka vendosur se Shqipëria ka shkelur të drejtën për jetën private të ish-gjyqtarit Ervin Metalla, duke e shkarkuar atë në mënyrë joproporcionale gjatë procesit të Vettingut.
Në vendimin e publikuar më 5 maj 2026, Strasburgu analizoi vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, të cilat kishin larguar Metallën nga detyra për shkak të parregullsive në deklarimin e pasurisë dhe dyshimeve për transaksione fiktive.
Gjykata vlerësoi se, edhe pse disa veprime të gjyqtarit mund të ngrinin pikëpyetje etike, ato nuk arrinin nivelin e nevojshëm për të justifikuar masën më të rëndë disiplinore, siç është shkarkimi përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.
Sipas vendimit, autoritetet shqiptare nuk kryen një analizë të plotë dhe proporcionale të rastit, duke mos balancuar siç duhet interesin publik me të drejtat individuale të aplikantit.
Një tjetër element kyç ishte kërkesa që Metalla të provonte burimin e të ardhurave të vëllait të tij, çka sipas Gjykatës përbënte një barrë disproporcionale dhe jo të justifikuar në rrethanat konkrete.
Strasburgu konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i dha të drejtë Metallës, duke urdhëruar shtetin shqiptar t’i paguajë 20 mijë e 400 euro dëm pasuror, 6 mijë euro dëm moral dhe 6 mijë euro për shpenzimet ligjore.
Gjykata sugjeroi gjithashtu që çështja të rihapet nga autoritetet shqiptare, në përputhje me standardet e saj, nëse kërkohet nga aplikanti.
Vendimi është unanim dhe detyron Shqipërinë të kryejë pagesat brenda tre muajve, ndërsa pjesa tjetër e kërkesave të aplikantit është rrëzuar. Më herët, gjyqin në Strasburg për rikthimin në detyrë e fitoi edhe prokurorja Antoneta Sevdari, e cila u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaëm i Apelimit për parregullsi në deklarimin e të ardhurave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje