Gazeta Si – Gjykata e Lartë e Shqipërisë pritet të dalë sot me një vendim të rëndësishëm lidhur me njehsimin e praktikës gjyqësore për mënyrën e aplikimit të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Kolegjet e Bashkuara do të shprehen mbi kërkesën e Prokurorisë së Apelit Tiranë, e cila lidhet me rastin e Bektesh Zenelit dhe ka shërbyer si bazë për rishikimin e vendimit unifikues të vitit 2011. Ky vendim është aktualisht referenca kryesore që përdorin gjykatat për caktimin e masave të arrestit.
Në seancën publike pritet të shpallet vendimi përfundimtar, ndërsa nuk dihet ende se si janë ndarë votat mes 16 gjyqtarëve.
Për miratimin e ndryshimeve kërkohet shumica e votave, në një proces të inicuar nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Rishikimi i vendimit të vitit 2011 është fokusuar në disa çështje kyçe. Së pari, diskutohet fakti që gjykatat nuk kanë qenë të detyruara të arsyetojnë pse masat alternative ndaj burgimit nuk janë të përshtatshme, ndërkohë që standardet e Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkojnë argumentim konkret dhe të bazuar në rrethana specifike.
Së dyti, po shqyrtohet mënyra se si përcaktohet rrezikshmëria e personit të dyshuar, pasi sipas praktikës evropiane ajo nuk duhet të bazohet vetëm te natyra e veprës penale.
Një tjetër pikë e debatueshme lidhet me barrën e provës: sipas praktikës aktuale, i akuzuari duhet të argumentojë pse nuk duhet të mbahet në burg, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë që kjo barrë të bjerë mbi organet e drejtësisë.
Vendimi që pritet të merret sot mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën si gjykatat shqiptare vendosin për masat e sigurisë, duke i afruar ato më shumë me standardet evropiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje