Nga Gazeta ‘SI’ – Ndërsa disa vende të Europës kanë refuzuar zhvillimin e koncerteve të reperit Kanye West, ai ka shtuar Tiranën si një destinacion të ri për shfaqjet e tij.
Sipas ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhe, më 11 korrik West do të performojë në Tiranë, në një stadium që pritet të ngrihet enkas për këtë event.
Ky zhvillim shihet si një mundësi që mund ta vendosë Shqipërinë në hartën botërore të eventeve me artistë të mëdhenj, megjithëse mbetet e paqartë nëse përfshirja e Tiranës në tur është iniciativë e ekipit të West apo e autoriteteve shqiptare.
Koncerti në Tiranë është shtuar vetëm së fundmi në kalendarin e West, si pasojë e anulimeve nga katër shtete të BE-së. Deri më 20 prill, ai kishte data të konfirmuara vetëm në Itali, Holandë, Portugali, Spanjë dhe Turqi. Shfaqja do të organizohet nga kompania shqiptare RedCloud, e cila më herët ka qenë dhe subjekt i akuzave për mashtrim nga qytetarët.
Në faqet zyrtare të kompanive që menaxhojnë biletat e këtij turi, Shqipëria nuk është bërë ende pjesë, por ajo është futur në listën e publikuar në faqen zyrtare të vetë reperit.


Turi botëror i West ka rezultuar tejet i suksesshëm në SHBA, Amerikë Latine dhe Azi, por Europa duket se është prekur më shumë nga qëndrimet kontroverse të reperit. West, pak kohë më parë ka shfaqur publikisht mbështetjen e tij për nazismin, anti-semitizmin dhe politikat MAGA të Trump. Këto i kushtuan atij disa kontrata biznesi dhe këtë herë edhe aktivitetin e tij artistik.
Mbretëria e Bashkuar ishte ndër të parat që i ndaloi koncertet, madje duke e shpallur “non grata”, duke i ndaluar hyrjen në territor. Më pas edhe Franca, Polonia dhe Zvicra kundërshtuan shfaqjet e tij, duke i konsideruar të papranueshme në raport me vlerat e tyre.
Pavarësisht polemikave dhe anulimeve në disa vende europiane, koncertet e Kanye West kanë rezultuar të suksesshme dhe “sold out”, duke krijuar përshtypjen se bojkoti ndaj tij është më shumë politik sesa artistik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje