Politike

Bardhi përplaset me Gonxhen: Mos flisni për antisemitizëm në protestë pa anuluar koncertin e Kanye West!

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkoi mazhorancës të anulojë koncertin e artistit Kanye West në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një figurë të lidhur me antisemitizmin.

Sipas Bardhit, është e papranueshme që mazhoranca “të japë leksione për antisemitizmin ndaj pjesëmarrësve në protesta”, ndërsa njëkohësisht të lejojë zhvillimin e një koncerti të tillë.

“Na flisni ju për antisemitizëm? Po anuloni koncertin e Kanye West. A i është anuluar koncerti këtij në çdo vend për shkak të qëndrimeve që ai mban? Ti je një hajdut i certifikuar. Anuloni ju koncertin dhe pastaj hajde flisni për antisemitizëm!”, tha Bardhi.

Pas këtyre deklaratave, reagoi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili sqaroi se eventi i planifikuar për datën 11 është vendosur që në muajin janar dhe nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet aktuale politike apo protestat.

“Dua të sqaroj opinionin publik se eventi i datës 11 është planifikuar që në janar dhe nuk lidhet me asnjë aktualitet protestash”, u shpreh Gonxhja.

Ai theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një artist të njohur ndërkombëtarisht, i cili ka performuar në disa vende të Evropës dhe më gjerë, duke shtuar se koncerti në Shqipëri do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

“Sqaroj të gjitha insinuatat rreth këtij koncerti. Kanye West është një artist i madh që ka performuar në Holandë, Spanjë, Portugali dhe Turqi. Ata që kanë diçka kundër këtij eventi, më vjen keq, por ai do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri, duke na futur në ‘ligën e kampionëve’ të eventeve elitare kulturore”, deklaroi Gonxhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë