Artisti i njohur më parë si Kanye West mund të jetë duke shijuar një rikthim triumfues në skenë, por jo të gjithë po duartrokasin.
Ye, siç njihet tani, kohët e fundit iu ndalua të udhëtonte në Britani për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme për komentet e tij të kaluara antisemitike dhe festivali ku ai duhej të performonte u anulua për shkak të ndalimit.
Ky vendim erdhi disa ditë pas dy shfaqjeve të shitura plotësisht në stadiumin SoFi në Inglewood, Kaliforni, në mbështetje të albumit të tij të ri “Bully”, i cili sapo debutoi në vendin e dytë në Billboard 200. Klipet e atyre koncerteve- që tregonin personazhe të tjerë të famshëm duke kënduar meloditë e tij dhe Lauryn Hill duke iu bashkuar atij në skenë në një set të projektuar për t’u dukur si maja e botës- u bënë virale.
Dikotomia e një ylli të ndaluar dhe të preferuar njëkohësisht përmbledh në mënyrë të përsosur karrierën e gjatë dekadash të Ye.
Ndërsa personazhe të tjerë të famshëm e kanë ruajtur bazën e tyre të fansave përballë polemikave, pak prej tyre kanë arritur të ruajnë mbështetjen e vazhdueshme që ai ka- veçanërisht duke pasur parasysh ciklet e ofendimit të shumë njerëzve, periudhën e pendimit dhe pastaj përsëritjes së gjithçkaje.
Che Pope, bashkëpunëtor dhe mik i Ye-së prej kohësh, tha se njeriu që ka bërë gjithçka, nga ‘prodhimi’ i disa prej emrave më të mëdhenj në industri deri te lançimi i markës së tij të suksesshme të modës, është thjesht vetvetja.
“Duke parë botën dhe duke u përpjekur ta shohë atë përmes lenteve të ndryshme, ai ka mendimet e tij për të,” tha Pope për CNN. “Dhe është shumë i patrembur.”
Ai është gjithashtu shumë i ndërlikuar.
Ye ka qenë i hapur gjatë viteve në lidhje me problemet e tij, nga muzika, abuzimi me substancat deri te diskutimi i problemeve të tij me shëndetin mendor, dhe këtë herë nuk është ndryshe.
Në janar, ai publikoi një reklamë në një faqe të plotë në Wall Street Journal për të kërkuar falje për disa nga reagimet e tij të kaluara, disa prej të cilave ishin antisemitike dhe disa prej të cilave ishin anti-njerëz me ngjyrë, duke ia atribuar ato pjesërisht një dëmtimi të trurit të padiagnostikuar nga një aksident me makinë dhe çrregullimit bipolar të patrajtuar.
Nëse falja ju duk e njohur, kjo mund të jetë për shkak se Ye e ka bërë disa herë këtë, ku jo pak herë ka shkaktuar zemërim tek njerëzit, nga mbështetja e tij për lëvizjen MAGA dhe Presidentin Donald Trump gjatë administratës së tij të parë deri te shitja e bluzave me simbole naziste vitin e kaluar përpara se të bënte “mea culpa”.
“Unë nuk jam nazist ose antisemitik,” shkroi Ye në faljen e ËSJ. “Unë i dua njerëzit hebrenj.”
Reklama hapi rrugën për albumin e ri të Ye-së dhe shfaqjet pasuese. Festivali ‘Wireless’ në Londër mund të jetë anuluar, por artisti ende ka data të listuara në të gjithë Europën këtë verë, duke përfshirë Italinë, Spanjën, Holandën dhe Francën.
Arti VS artisti
Yassin Alsalman, i njohur zakonisht si artisti multimedial dhe reperi NARCY, vuri në dyshim pse dukej se po i kushtohej më shumë vëmendje kontrollit të dikujt si Ye, në krahasim me dikë si presidenti, i cili gjithashtu ka shkaktuar vazhdimisht polemika me vërejtjet e tij.
“Do të thoja se ajo që është interesante te Ye është se ai është në gjendje, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi, të hedhë dritë mbi standardin e dyfishtë të shoqërisë”, tha Alsalman, i cili dha leksione “Kanye VS Ye” në Universitetin Concordia në Montreal.
“Standardi i dyfishtë që ai ka treguar gjithmonë është një pasqyrim i zgjedhjeve artistike që ai ka bërë në hapësira që zakonisht nuk i lejojnë ato zgjedhje artistike.”
Ai thotë se nëse Ye shumë herë është në prag të shkaktimit të dëmit dhe pastaj përpiqet ta zbutë atë, edhe ne jemi në ato kushte, gjë që na bën pjesë të problemit.
“Nëse fillojmë të flasim për platformën, idenë e famës dhe se si kjo duhet të ndryshojë, atëherë ndoshta marrëdhënia jonë me të do të ndryshojë”, tha ai. “Por tani ajo që bëjmë, është sikur të gjithë po presin përmbysjen”.
Dështime të tilla kanë qenë po aq të vazhdueshme sa baza e palëkundur e tifozëve të Ye, një grup që përfshin të gjithë, nga tifozët e të riut që mbante polo dhe çantë shpine, i cili shpërtheu në skenë me albumin e tij debutues “The College Dropout” në 2004, deri te ata që e përshëndetën atë si një “mendimtar të lirë” për sulmin ndaj komunitetit hebre ose për thënien se 400 vjet skllavëri afrikano-amerikane “tingëllon si një zgjedhje”.
Këngëtarja Aubrey O’Day e gjeti veten në qendër të debatit mbi Ye pasi mori pjesë në shfaqjet e tij SoFi.
Ajo ishte përballur me kritika në internet për pjesëmarrjen në shfaqje, ndërkohë që ishte një kritike e gjatë e ish-mentorit të saj Sean “Diddy” Combs, i cili u dënua me më shumë se katër vjet burg vitin e kaluar pasi u shpall fajtor për dy akuza për prostitucion.
Këngëtarja u përgjigj nëpërmjet një deklarate të gjatë në X se ajo “mund të mbajë dy të vërteta njëherësh” dhe argumentoi se akuzimi i saj për hipokrizi “injoron nuancën”.
“Kam folur hapur për abuzimin sepse e kam përjetuar atë dhe nuk e justifikoj kurrë. Kjo nuk ka ndryshuar. Por gjithashtu nuk besoj se angazhimi me artin e dikujt do të thotë që unë bashkë-nënshkruaj çdo mendim ose veprim që ata kanë pasur ndonjëherë”, shkroi ajo.
“Nëse ky do të ishte rregulli, pjesa më e madhe e kësaj industrie- dhe sinqerisht pjesa më e madhe e botës- do të ishte e ndaluar. Ajo që unë nuk mbështes është dëmi, shfrytëzimi ose dhuna. Dhe kam qenë konsistente në lidhje me këtë.”
Dhe, nëse historia është ndonjë tregues, ky është një diskutim që do të bëhet përsëri.
Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje