Drejtësia

‘Partizani’, Taulant Balla dëshmon në gjyqin e Berishës: I qëndroj kallëzimit tim

Gazeta Si – Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka nisur dëshminë e tij në gjyqin e çështjes “Partizani”, i thirrur si dëshmitar në cilësinë e kallëzuesit, ku mes të pandehurve është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në një prononcim për mediat, Balla theksoi se prania e figurave të larta politike në bankën e të akuzuarve për korrupsion tregon se reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete, ndërsa shtoi se besimi i qytetarëve te drejtësia është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së institucioneve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe e cilësoi procesin si një hap të rëndësishëm drejt afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Që nga viti 1912, Shqipëria s’ka qenë kurrë më afër Europës se sa sot dhe arsyeja është reforma në drejtësi, që ka rikthyer besimin te drejtësia. Këta në bankën e të akuzuarit, më kanë akuzuar mua për shpifje në 2012. Ky është rast tipik i korrupsionit të nivelit të lartë. Pesë për qindshi është korrupsion. Unë do përgjigjem për çfarë të më pyesin, por i qëndroj kallëzimit tim”, tha Balla.

Seanca e sotme hap fazën e shqyrtimit të provave, ku palët do të përballin argumentet dhe faktet në sallën e gjyqit.

Fillimisht, prokuroria do të paraqesë provat e saj, duke nisur me dëshmitarët. Për ditën e sotme janë thirrur katër persona për të dëshmuar, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Përveç Ballës, janë njoftuar edhe disa ish-drejtues të lidhur me klubin shumësportësh “Partizani”, të cilët pritet të japin dëshmi mbi rrethanat e privatizimit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ata do t’i përgjigjen thirrjes së gjykatës edhe pse paraqitja është detyrim ligjor.

Më, 15 prill, GJKKO pranoi kërkesën e Sali Berishës, për të thirrur edhe kryeministrin Edi Ramës si dëshmitar.

Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat.

Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Xhimi Begeja e Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë gjatë kësaj kohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë