Politike

Salianji depoziton kandidaturën për kryetar të PD/ Noka: Dera nuk do jetë kurrë e hapur!

Nga Gazeta ‘Si’– Ervin Salianji ka zyrtarizuar kandidimin e tij për kryetar të Partisë Demokratike, duke sfiduar kështu Sali Berishën në zgjedhjet e 23 majit.

Salianji po ashtu ka hartuar dhe një platformë me 10 pika për drejtimin dhe bërjen e PD-së, fituese sipas tij.

Në dokumentin e prezantuar, Salianji thekson se Partia Demokratike duhet t’i rikthehet “vlerave të saj themeluese”, duke u shndërruar në një forcë politike moderne, të hapur dhe të aftë për të fituar zgjedhjet ndaj Partisë Socialiste.

Sipas tij, PD duhet të bëhet promotore e lirisë, shtetit të së drejtës, cilësisë së qeverisjes dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe të forcojë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një nga pikat kryesore të platformës është transformimi i brendshëm i partisë, përmes zgjedhjes së kryetarit me parimin “një anëtar një votë”, kufizimit të mandateve dhe hapjes së listave të kandidatëve për deputet.

Salianji propozon gjithashtu kuota të detyrueshme për përfaqësimin e grave, të rinjve dhe diasporës, si dhe një rol më të madh për anëtarësinë në vendimmarrje.

Platforma përfshin edhe thirrje për bashkimin e opozitës si kusht për rotacionin politik, si dhe mbështetje të fortë për institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, si pjesë e luftës kundër korrupsionit.

Në platformë, Salianji ka edhe një mesazh për Berishën: “Ai është udhëheqësi i ndryshimeve në vitin 1990, ai është udhëheqës i fitoreve të Partisë Demokratike dhe këto merita do t’i njihen përjetësisht. Por koha e tij ka mbaruar. Ai sot ai është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar. Por koha e tij ka tejkaluar. Ai sot është një barrë për Partinë Demokratike dhe të gjithë popullin opozitar”. 

Megjithatë, Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka deklaroi se dera e selisë blu nuk do të jetë e hapur për “Gysin” (referencë për Ergys Agasin) duke paralajmëruar mospranimin e kandidaturës së tij.

“Dyert e PD janë të hapura. Për Gysin s’do jetë kurrë kjo derë e hapur. Kur të caktohet gara për administratorin e Gysit le të aplikojnë të gjithë. Për PD-në duhet të jesh pikësëpari demokrat, jo t’i shërbesh Ramës, duhet të jesh njeri që u shërben demokratëve”, tha Noka në një prononcim për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë