Sociale

Përkeqësohet liria e medias/ Reporterët pa Kufij: Krimi dhe politika, kërcënim!

Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria ka bërë hapa pas në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij. Një vit më parë ishte në vendin e 80-të, ndërsa këtë vit renditet në vendin e 83 nga 180 vende në indeks.

Maqedonia e Veriut u radhit në vendin e 45-të dhe ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42-të. Kosova renditet e 84-ta, 15 vende më mirë sesa vitin paraprak.

Më keq në rajon renditet Serbia, e 104-ta, kur vitin e kaluar ishte në vendin e 96-të.

Raporti i RSF-së vë në dukje se mjedisi mediatik në Shqipëri vuan nga probleme strukturore dhe një ndërthurje e dëmshme mes interesave politike dhe ekonomike.

“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor i mangët dhe rregullim partiak. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thuhet tekstualisht në raportin e RSF-së.

Raporti vë në dukje se gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh janë objekt sulmesh që synojnë t’i diskreditojnë, si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.

Po ashtu, raporti thekson dhunën ndaj gazetarëve në protesta dhe vë në dukje se kërcënimi nga krimi i organizuar është më i madhi.

Raporti po ashtu ka theksuar bllokimin e TikTok-ut nga qeveria dhe vendimin e Kushtetueses që e gjeti këtë si një cenim të lirisë së shprehjes.

Rënia e Shqipërisë në këtë indeks ka sjellë reagime nga organizatat e gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) e sheh me shqetësim të thellë përkeqësimin, duke theksuar se ai konfirmon problematikat e ngritura në vazhdimësi nga organizata.

Sipas AGSH-së, “ndërthurja e interesave mes politikës dhe biznesit, mungesa e transparencës në financimin e medias dhe presioni politik mbi redaksitë vijojnë të minojnë lirinë editoriale.”

Reagim pati edhe nga opozita.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e konsideron këtë rënie si një shenjë të rrëshqitjes së vendit drejt “një autokracie elektorale”.

“Rënia në indeksin e lirisë së medias nuk është rastësi. Vetëm në një vit, Shqipëria ka humbur edhe 3 vende të tjera, duke konfirmuar një trend të vazhdueshëm përkeqësimi. Në një dekadë, rënia është dramatike,” shprehet Tabaku, që përmend në reagimin e saj edhe sulmet ndaj gazetarëve në vend.

Si reagim ndaj situatës, ajo përmendi se Partia Demokratike ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për të garantuar që legjislacioni të mos cenojë lirinë e shprehjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë