Nga Gazeta Si- Prokuroria ka mbyllur hetimet për cështjen “Onkologjiku” duke dërguar për gjykim zv/drejtoreshën e QSUT dhe disa mjekë për “Shpërdorim detyre”.
Mjekët dërgonin pacientët e onkologjikut në klinika private për trajtimet që duhet të bëheshin në spitalin shtetëror si dhe sabotuan pajisjet e trajtimit të sëmurëve me tumor.
Në gjyq janë dërguar gjashtë persona, mes të cilëve ish-zv.Drejtoresha, Brikena Qirjazi, koordinatori, mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik në QSUT si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike për veprat penale ‘Shpërdorim të detyrës’, ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’.
Fillimisht çështja u dërgua në Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vlerësim nëse kishte të bënte me ndonjë bashkëpunim që ishte kompetencë e kësaj prokurorie. Por u risoll në Prokurorinë Tiranë duke veçuar materialet në ngarkim të mjekut onkolog Edmond Gashi, për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funskione publike”.
Si rrjedhojë, Prokuroria dokumentoi raste ku pacientëve të ndryshëm, pasi nuk i jepej trajtimi i duhur mjekësor orientoheshin në klinikat private ku kundrejt tarifave të fryra kryheshin shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale të cilat duhet t’i jepeshin falas nga mjekët e onkologjikut.
Gjithashtu rezultoi se pranë Onkologjikut ishte instaluar një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale.
Që të përdorej kjo aparaturë duhet të krijohej më parë një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose agjencia ndërkombëtare IEAHEA.
Ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike e në dhomën ngjitur kabinetit të radiologjisë me një lloj radioaktiviteti që nuk mund të lejohet të vendoset në ambiente jo specifikë.
Nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri nuk është në shfrytëzim por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria provoi se koordinatori Emiliano Lela ka ndërhyrë duke i orientuar pacientët tek klinikat private.
Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare.
Po kështu edhe Alketa Pere dërgonte pacientët drejt klinikave private.
Ndërkohë, Brikena Qirjazi, ish Zv/Drejtoresha e QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit.
Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor.
Në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe Drilona Kishta, specialiste në QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre.
Ajo hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë.
Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit. Si pasojë e kësaj është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin.
Ndërsa Halil Gashi, administrator i klinikës “Megis” nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë si dhe ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor.
Së fundmi, Florjan Marku, administrator i “Flori Farma”, ka shitur ilaçin “Valamor”, të cilin e dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje