Nga Gazeta Si- Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të krijojë një përkufizim të unifikuar të përdhunimit të bazuar në pëlqimin, duke e cilësuar këtë si një hap kyç për të adresuar dallimet e mëdha ligjore që ekzistojnë mes vendeve anëtare.
Me 447 vota pro nga 720 eurodeputetë, parlamenti miratoi një raport që thekson parimin “vetëm po do të thotë po”, duke nënvizuar se mungesa e rezistencës, heshtja apo marrëdhëniet e mëparshme nuk mund të konsiderohen si miratim.
Sipas eurodeputetes polake Joanna Scheuring-Ëielgus, një përkufizim i përbashkët është i domosdoshëm për të shmangur situatat ku një krim si përdhunimi trajtohet ndryshe nga një shtet në tjetrin, duke krijuar boshllëqe në ndjekjen penale.
Edhe Evin Incir theksoi se ekziston tashmë një shumicë e qartë politike për këtë qasje dhe i kërkoi Komisioni Europian të propozojë ligj konkret.
Megjithëse shumica e vendeve të BE-së kanë kaluar drejt përkufizimeve të bazuara në pëlqim, disa shtete si Italia, Hungaria dhe Rumania vazhdojnë të kërkojnë prova të forcës ose rezistencës nga viktimat. Kjo krijon një sistem të fragmentuar, ku standardet e drejtësisë ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Debati është ndikuar edhe nga raste që kanë tronditur opinionin publik, si ai i Gissle Pelicot, i cili nxori në pah kufizimet e ligjeve që nuk e vendosin pëlqimin në qendër. Pas këtij rasti, disa vende si Franca, Finlanda, Luksemburgu dhe Holanda kanë përditësuar legjislacionin e tyre.
Të dhënat tregojnë përmasat e problemit: sipas një studimi, një në 10 gra në BE ka përjetuar dhunë seksuale dhe një në 20 është përdhunuar, por vetëm rreth 0.5% e rasteve çojnë në dënim. Kjo thekson nevojën për reforma më të forta ligjore dhe harmonizim të standardeve.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Komisioni Europian do të veprojë, pasi përpjekje të ngjashme në vitin 2023 u bllokuan nga disa qeveri që e konsideruan këtë si tejkalim kompetencash. Pavarësisht kësaj, eurodeputetët që mbështesin nismën janë të vendosur të vazhdojnë presionin, duke argumentuar se BE-ja duhet të marrë një rol udhëheqës në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të shërbejë si shembull global.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje