Drejtësia

U akuzua për ryshfet, shpallet i pafajshëm ish-shefi i Policisë Rrugore, Roven Zeka

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka shpallur të pafajshëm ish-Shefin e Policisë Rrugore në Tiranë, Roven Zeka, i akuzuar për ryshfet pasiv së bashku me 2 vartësit e tij, për marrjen e 2 mijë eurove për të mos arrestuar gruan e një biznesmeni, e cila kishte bërë një aksident më 16 prill 2025. Rrjedhimisht Zeka lirohet dhe nga masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Ndërkaq për të bashkëpandehurit e tjerë GJKKO vendosi: 3 vite burg për Edison Tabakun, por do të vuaj 2 vite me gjykim të shkurtuar, 3 vite burg për Sokol Novakun, i cili do të vuajë 2 vite me gjykim të shkurtuar, dhe 1 vit e 6 muaj burg për Erges Vrionin, që do të vuaj vetëm 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar.  

Sipas dosjes hetimore, duke qenë se Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin.

Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të policisë Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të policisë rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.

Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut, rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku (shef i sektorit të aksidenteve), ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë