Drejtësia

Apeli rrëzon SPAK, lë në fuqi pafajësinë e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi

Gazeta Si – Apeli i Posaçëm rrëzon SPAK dhe konfirmon pafajësinë e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Ish-gjyqtari, i shkarkuar nga itemi i Vettingut në vitin 2018, u gjykua për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, pas dyshimeve të SPAK se kishte disa pasuri të pajustifikuara në burime të ligjshme.

Në korrik të vitit 2025, Shkalla e Parë e GJKKO shpalli të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë. Sipas trupit gjykues, “fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë”, duke e rrëzuar kështu kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK kishte kërkuar gjykimin penal të Shkëlzen Selimit për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Për këtë arsye u kërkua dhe u vendos sekuestrimi mbi disa pasuri në zotërim të tij: ½ e një trualli me sipërfaqe 432 m² dhe një objekt 132.25 m², pikë tregtimi karburantesh, me vendndodhje në shëtitoren “Lungomare” në Vlorë; një truall me sipërfaqe 2,400 m² në Jonufër, si dhe një tjetër truall me pikë karburanti në “Rrugën Transballkanike”, po në Vlorë.

Shkëlzen Selimi punoi për dy dekada në sistemin e drejtësisë, përpara se të shkarkohej në vitin 2018 nga vetingu për fshehjen e kontakteve me persona të përfshirë në krim të organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë