Politike

Mesazhi për shqiptarët, ministri Hoxha në RMV: S’ka asnjë tymnajë që mund të hyjë mes nesh

Nga Gazeta ‘Si’– Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha u pyet sot nga gazetarët për mesazhin në grupin e WhatsAppi-t, ku pretendohet se ai u është drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur: “Po ata idiotët shqiptarë atje çfarë thonë”.  

Gjatë një deklarate për mediat krah kryetarit të komunës së Çairit Izet Mexhiti, Hoxha theksoi se “bëhet fjalë për një tymnajë të tejkaluar”.

Ai theksoi se sipas tij nuk ka asnjë tymnajë që mund të hyjë në mes duke hedhur poshtë çdo aludim të krijuar pas mesazheve që janë publikuar së fundmi.

“U ngrit kjo tymnaja e u pamë! Jam i hapur për t’u takuar në çdo kohë, në çdo rrethanë, qoftë kur biem dakord, edhe kur nuk biem dakord, sepse edhe në familje ka mosmarrëveshje. Nuk ka asnjë lloj interpretimi që vlen, mbi atë qe duam të ndërtojmë, mbi atë që biseduam sot.

Janë të kapërcyera, te tejkaluara, sepse s’ka asnjë tymnajë që mund hyjë mes nesh, s’ka asnjë tymnajë që mund të na zërë sytë për të parë atë që është e përbashkët. S’ka asnjë gjë që ngrihet nga hiçi që të errësojë atë është e përgjithshme, e domosdoshme, që të jemi bashkë si vëllezër dhe të punojmë bashkë”, tha ministri i jashtëm.

Pas publikimit të mesazheve PD tha se eshtë e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë