Drejtësia

GJKKO rrëzon Veliajn për kafazin e xhamit dhe dosjen, Ols Dado: Kushtet si hotel me 5 yje!

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka kundërshtuar kërkesën e avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndreca, që kryebashkiaku i Tiranës të mos mbahet në kafazin e xhamit gjatë seancave gjyqësore.

Prokurori Ols Dado u shpreh se qëndrimi i të pandehurit në kafaz nuk përbën problem, pasi struktura e xhamit ka një të hapësirë përmes së cilës mund të komunikohet.

“Lidhur me kërkesën e avokatëve që Erion Veliajt, të mos mbahet në kafaz, nuk besojmë se përbën problem. Nuk është kafaz, por një strukturë xhami dhe ka edhe një të çarë aty që mundëson komunikimin. Kushtet e GJKKO janë shumë të mira, si në një hotel me 5 yje”, tha prokurori Dado.

Ndërkohë avokati i Veliajt, i është drejtuar prokurorit Dado: “Ndrysho vendet me të, qëndro ti në kafaz dhe të ulet z.Veliaj ku jeni ulur ju”.

Po ashtu, GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Erion Veliajt, i cili kërkoi që t’i vendosen dispozicion në mënyrë të digjitalizuar të gjithë fashikujt hetimorë.

Sipas gjykatës, mbrojtja ka pasur mundësi të njihet me provat, të cilat i janë vënë në dispozicion edhe fizikisht Veliajt.

Avokati Ndreca kërkoi që të gjithë fashikujt hetimorë të vihen në dispozicion në formë të digjitalizuar, duke pretenduar se në dosje ka përgjime që mbrojtja nuk i ka dëgjuar dhe se procesverbalet ekzistuese përbëjnë vetëm interpretime.

Ndërkohë, seanca për gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës nuk u transmetua live për mediat. Gjyqtarja e GJKKO, Engjëllushe Tahiri e rrëzoi kërkesën e Veliajt me argumentin se dy prej të pandehurve, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk pranuan që seanca të transmetohet e hapur për publikun dhe mediat.

Vetë Veliaj nuk shkoi në seancë, por deklaroi se do të përfaqësohej nga avokati Plarent Ndreca, i cili tha se transmetimi live është i domosdoshëm për transparencën ndaj publikut dhe për të garantuar që qytetarët të informohen mbi zhvillimet e procesit.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025. Sipas SPAK, procesi u vonua disa muaj për shkak të kërkesës formale që vetëm pesë muaj më parë u dorëzua për kalimin e dosjes në gjykim.

Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.

Ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, ndërsa F.B., gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për dhënie të telefonit Veliajt gjatë transferimeve drejt gjykatës, duke u përballur me akuzën për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara brenda institucionit të burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë